Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e Bordit të Drejtorëve, që është e treta për vitin 2017 dhe është transmetuar drejtpërdrejt në radiot lokale.
Kryetari Haziri dhe drejtorët komunalë, kanë prezantuar objektivat e qeverisë komunale për vitin 2017, ndërkaq ka bërë thirrje për qytetarët që brenda shtatë ditëve t’i prezantojnë kërkesat e tyre për investime në zyrat e Komunës.
“Prej sot, qytetarët e Gjilanit kanë kohë shtatë ditë për t’i paraqitur kërkesat e tyre për investime. Do t’i shqyrtojmë me kujdes dhe do t’i fusim në kuadër të planifikimit për investime në qytet dhe fshatra”, ka thënë Haziri.
“Investimet kapitale gjatë këtij viti, në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët, kalojnë shumën mbi 30 milionë eurove. Do të finalizohen rrugët hyrëse dhe dalëse Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj, pastja ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza, ndërtimi i shtretërve të lumenjve “Mirusha” dhe “Stanishorka”, renovimi i stadiumit, palestrës, terreneve sportive, ndërtimi i shkollave të reja, çerdheve, parqeve etj.”, ka thënë Haziri gjatë prezantimit të investimeve kapitale.
I pari i Gjilanit ka konfirmuar se sivjet do të nis edhe projekti më i madh i Anamoravës, autostrada Konçul-Përlepnicë-Bresalc-Verbicë e Zhegocit-Banullë, ndërkaq ka shtuar se do të vazhdoj ndërtimi i shtëpive për familjet në nevojë, sikurse edhe rindërtimi i tyre.
Në këtë takim, u tha se në plan të punës është edhe transporti publik, modernizimi i Stacionit të Autobusëve, modernizimi i Tregut të Gjelbërt, ndërtimi i QKMF-së në Gjilan dhe ndërtimi i QMF-së në Llashticë.
“Përveç tjerash, sivjet jam shumë i lumtur që subvencionet në bujqësi e kalojnë shumën 1 milionë euro”, u shpreh Haziri.
Kryetari Haziri, në fund të takimit ka thënë se Gjilani e ka kthyer vëmendjen e qeverisë dhe shumë miqve në Europë dhe Amerikë sa i përket investimeve, ndërkaq ka përmendur edhe brendet që tashmë po identifikohet kjo Komunë.
“Përveç brendit kryeqytet kulturor i shqiptarëve, Gjilani do të bëhet edhe kryeqytet i sportit, qytet i “Ask-Food”, “Moea”, “Konsonit”, i kultivimit të lulediellit, e kulturës së duhanit”, ka përfunduar Haziri.