Gjilan

Prona e përbashkët është faktor i rëndësishëm i barazisë gjinore

Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) në Gjilan ka kërkuar vazhdimin e Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e përbashkët të pronave, që skadon brenda një muaji, për t`iu dhënë mundësi grave edhe më tutje që të bëhen bashkëpronarë të pasurisë së krijuar gjatë kohës së martesës, sipas kushteve lehtësuese që parasheh ky vendim i qeverisë së Kosovës.

Gjylshene Berisha, kryesuese e Komitetit për Barazi Gjinore në Gjilan, ka thënë se në bazë të një informata nga Drejtoria e Kadastrës, gjatë vitit 2016 janë paraqitur 170 kërkesa për regjistrim të përbashkët të pronës, ndërkohë që ka shtuar se çështjet që afirmojnë barazinë gjinore, do të jenë angazhim i përhershëm i kësaj trupe komunale.

Berisha ka thënë se edhe prona është një faktor i rëndësishëm i barazisë gjinore, i zhvillimit dhe pavarësisë ekonomike të gruas.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me 17 shkurtin, ditën e pavarësisë, ajo ka thënë se Kosova ka ligje të mira edhe sa i përket barazisë gjinore, por ka kërkuar që këto ligje pozitive të zbatohen në praktikë.

Berisha është shprehur optimiste për të ardhmen e Kosovës. “Shpresoj se do të kemi dije e vullnet që ta fuqizojmë edhe më tepër shtetin tonë, për të cilin janë sakrifikuar gjenerata të tëra”, ka thënë ajo.

Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore, ka thënë se bashkëshortët mund ta regjistrojnë pronën në njërin emër, por burri nuk mund ta shes një pronë që është krijuar bashkërisht, gjatë kohës së martesës, pa nënshkrimin edhe të gruas.

Edhe Sabri Rexhepi ka thënë se regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve, është një hap pozitiv për të ardhmen, nëse merret parasysh tradita dhe mentaliteti në Kosovë, sa i përket pronës.

Të drejtën në bashkëpronësi, Xhyzide Ismaili e ka vlerësuar si fillim të një ecje të mbarë, që duhet të vazhdohet. Nga tradita duhet të merren vetëm gjerat pozitive, jo edhe ato që janë cenojnë barazinë gjinore, ka thënë ajo.

Në këtë temë kanë kontribuar përmes pyetjeve dhe shembujve konkretë edhe Jonuz Hasani, Kadrije Hajdari, Renan Imami dhe të tjerë.

Gjylshene Berisha e ka informuar KBGJ edhe me përgatitjet për 8 Mars, duke thënë se kjo ditë, sivjet do të shënohet me një tryezë, për të dëshmuar se gratë nuk janë ato që vetëm festojnë, por edhe që punojnë.

Sadete Trnava nga OSBE ka kontribuar me sqarime për nevojën e krijimit të një strategjie që përkrah gratë në aspektin e zhvillimit ekonomik, përmes favorizimit të tyre në ndarjen e granteve të ndryshme për biznese.

Ajo e ka inkurajuar KBGJ që të punojë në këtë drejtim, duke thënë se ka vërejtur një gatishmëri të mirë për të përkrahur këto nisma te Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik.

You Might Also Like