Futboll

Dallku: Ishte vetëm një ekip në fushë, djemtë e kanë kuptuar se gjendja është alarmante

Dukagjini ka shënuar fitore të madhe në luftë për mbijetesë, duke e mposhtur Gjilanin.

“Hithat” triumfuan 2:0 ndaj Gjilanit me golat e Altin Merlakut në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, shkruan Demokracia.com.

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku u shpreh i lumtur për pikët e fituara në ndeshje ndaj “kuqebardhëve”.

“Në ndeshjet e kaluara kemi pasur raste por nuk kemi pasur realizim. Sot, pavarësisht që kishim edhe raste tjera, në dy raste e goditëm kundërshtarin. Më pëlqen te djemtë se e kanë kuptuar që gjendja është alarmante dhe kanë ditur si të gjinden. Duhet të fokusohemi në punën tonë dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thënë Dallku për Art Sport.

Tutje, Dallku foli edhe për kapitenin, Merlaku që realizoi dy golat e fitores.

“Kjo është madhështia e një kapiteni, sepse në situata të vështira e nxjerrë skuadrën. E kemi biseduar me të këtë gjë tërë kohën. Altinit i paraqiten çdo lojë nga një apo dy raste, por sot i shfrytëzoi. I përshëndes edhe tifozët që ishin të pranishëm, i shpërblyem me lojë të mirë. Vetëm një ekip ishte në fushë dhe nuk lejuam të rrezikohemi. Në këtë moment, rëndësi kanë pikët”, tha për fund Dallku.

Dukagjini pozicionohet në pozitën e tetë me 36 pikë, aq sa ka edhe Drenica një pozitë larg barazhit.

You Might Also Like