OPINION

Kohët e futbollit që nuk do të kthehen kurrë

Sylejman Ismajli

Popullin shqiptarë anembanë Kosovës gjatë viteve të 80 e kishin kapluar demostratat e shumta për të drejtat e tyre elementare, por kishin një krenari të vetëm që gjithë popullin shqiptarë e tubonte – e ajo ishte KF Prishtina.

Prishtina përposë që ishte klub ajo ishte “Përfaqësuese e Kosovës”. Në vitet e 80 nga të gjitha viset shqiptare, i ri e i moshuar, mësyente shkallët e stadiumit të Prishtinës për të parë futbollistët të cilët po bënin histori, aty këndohej e njerzit qanin nga gëzimi e hidhërimi, aty ishte e gjithë Kosova – të gjithë kishin
një synim që ti ndihmojmë futbollistët e Prishtinës drejt inkuadrimit në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë.

Këtë popull nuk e pengonte as shiu e bora, as dielli e fortuna, nuk e pengonin as policia Serbe. Njerzit udhëtonin me kilometra të tërë në këmbë për të qenë pjesë e kësaj historie të futbollit.
Stadiumi stërmbushej dy orë para fillimit të ndeshjës, duke kënduar “besa besë”, ku ëndrra e madhe ishte që Prishtina të hynte në ligën e parë të ish-Jugosllavisë.

Në stinorin 1982/83, Prishtina arrinë që të shpallet kampion i divizionit lindor në Ligën e dytë të ish-Jugosllavisë, duke u inkuadruar në Ligën e pare të ish-Jugosllavisë.

Rikthimi triumfal i Prishtinës në at stinorë bëhet në javën e 21, kur e zhvillon ndeshjen me Teteksin e Tetovës me 27 mars 1983.

E gjithë Kosova po këndonte për ngjyrat “bardheekaltër” të Prishtinës – i këndohej Kosovës ei këndohej popullit shqiptarë.
Prishtinën e donim të gjithë jo vetëm unë por e gjithë Kosova. Të gjithë natë e ditë bisedonim vetëm për futboll, ishin kohëra të vështira dhe të rrezikshme.

Pikërisht me 27 mars 1983, zhvillohej ndeshja me Teteksin, stadiumi tri orë më herët ishte stërmbushur me shikues nga të gjitha vendet e Kosovës, këndonim këngë të ndryshme e fusha ishte e mbuluar me bore.

U konfirmua se ndeshja nuk do të zhvillohet për shkak borës, ishte shumë rrezik që kjo ndeshje të zhvillohet në Serbi dhe Prishtina ta humbte hapin për titull të kampionit.
Por, mijra shikues kemi filluar ta pastrojmë borën për ta aftësuar fushën për ndeshje dhe këtë e arritëm për pak kohë – me dorë e pa dorëza e largonim borën, shumica nga ne borën e grumbollonim në jaknet tona dhe e largonin nga fusha, shumë shikues thonin jetën do ta japim e kjo ndeshje do të zhvillohet, pasi bora ishte problemi ma i vogël dhe e arritëm qëllimin tonë dhe ndeshja u zhvillua.

Më kujtohet si sot isha 23 vjeqar, ishin tre burra rreth 70-ve dhe ishin nga Mitrovica më uruan qe hyra e kontribova për hjekjen e borës nga stadiumi dhe jakna ime ishte bërë ujë, njeri nga ata më ofroi jaknen e tij dhe më tha – “Merre ngrohu”, dhe e nxori pak bukë të furrës pa asgjë e ma dha duke më thënë – “ Merre se kjo buke e Kosovës është e dhimbshme”, ato emocione nuk do ti harrojë asnjëherë.

Emocionet ishin tejet të mëdha në këtë ndeshje, ishte ndeshje shumë me rëndësi,
Fadil Muriqi arrinë ta shënoj golin e parë, njerzit qanin nga gëzimi të gjithë u përqafonim, nuk kishte rëndësi nga ku ishte, pastaj shënon Vokrri e në fund Rama, ndeshja përfundon 3-0 për Prishtinë.

Kjo ndeshje nuk do përsëritet më asnjëherë, por as ato kohë. Jam krenar e i lumtur që i takoj kësaj gjenerate, kur futbolli i Kosovës po bënte revulucion.

Ajo dashuri e patriotizëm i popullit shqiptarë asnjëherë nuk do të rikthehet.

 

You Might Also Like