Shkruan: Nijazi Musmurati
Menjëherë pas luftës funksionoi Qeveria e Përkohshme e Kosovës, për një periudhë relativisht të shkurtër, derisa u krijuan kushtet për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e çliruar.
Në vitin 2001 u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, doli bindshëm partia e parë, me mbi 45% të votave. Pas zgjedhjeve, përmes marrëveshjeve politike ndërmjet subjekteve parlamentare, u arrit konstituimi i institucioneve të vendit.
Edhe në zgjedhjet pasuese, LDK-ja doli partia e parë dhe institucionet u konstituuan përmes marrëveshjeve politike dhe bashkëpunimit ndërmjet partive.
Në zgjedhjet e vitit 2007, PDK-ja doli partia e parë dhe Hashim Thaçi mori drejtimin e Qeverisë. Edhe në periudhat dhe zgjedhjet që pasuan, pavarësisht dallimeve politike dhe raporteve të ndryshme të forcave në Kuvend, partitë arritën të gjenin marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Kosova pati në periudha të ndryshme presidentë si Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi, ndërsa qeveritë u drejtuan nga përfaqësues të partive të ndryshme. Kjo tregon se, edhe në rrethana të vështira politike, kompromisi dhe marrëveshja kanë qenë instrumente të domosdoshme për funksionimin e institucioneve.
Vlen të theksohet se në shumë prej këtyre zgjedhjeve, partia fituese kishte përqindje dukshëm më të ulët të votave sesa rezultati që Vetëvendosje arriti në zgjedhjet e mëvonshme. Megjithatë, institucionet u konstituuan përmes marrëveshjeve dhe kompromiseve politike.
Edhe sot, konstituimi i institucioneve nuk do të duhej të ishte i pamundur, nëse ekziston vullneti për kompromis dhe për ndarje të përgjegjësive institucionale. Partia fituese mund të synojë drejtimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, ndërsa posti i Presidentit mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë politike, përfshirë edhe mundësinë që ai t’i lihet opozitës. Në kët rast, do të thosha është mëse e domosdoshme lënja e postit të presidentit opozitës edhe për demokracinë do të ishte më e shëndetshme. Zgjidhja është në horizont, vetëm reflektimi.
Një zgjidhje e tillë mund të krijonte një ekuilibër më të madh institucional dhe politik. Në një demokraci parlamentare, pushteti nuk duhet parë vetëm si mundësi për të kontrolluar sa më shumë pozita shtetërore, por si përgjegjësi për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të siguruar stabilitet politik.
Prandaj, pyetja kryesore nuk është vetëm se kush i fitoi zgjedhjet apo sa vota mori, por sa vullnet ekziston për kompromis dhe për funksionalizimin e institucioneve të shtetit.
Siç ka theksuar edhe prof. dr. Arsim Bajrami në interpretimet e tij lidhur me procesin kushtetues, fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, e më pas të procedohet me formimin e Qeverisë dhe çështjet e tjera institucionale.
Pra, zgjidhja politike ekziston. Ajo kërkon vullnet, maturi, kompromis dhe gatishmëri që interesi i funksionimit të shtetit të vendoset mbi interesat partiake.
Zgjidhja mund të jetë shumë më e lehtë, po të mos mbizotëronin shpirtngushtësia dhe lakmia politike. Lakmia – koria!
Gjilan, 17.08.2026



