Futboll

Gjilani vazhdon serinë pa fitore

Një fitore tejet e rëndësishme për Ferizajin sot, fitore e cila e largon këtë skuadër nga zona e rrezikshme të paktën përkohësisht.

Skuadra në fjalë sot triumfoi 2-0 (Gentrit Halili 30’, Gentrit Ramusa 53’) ndaj Gjilanit. Për këtë të fundit kjo ishte xhiroja e gjashtë me radhë pa fitore.

Një prej lojtarëve më të mirë të Ferizajit këtë sezon, Gentrit Halili, ia dha epërsinë skuadrës së tij në minutën e 30’, duke shënuar për 1-0 pas asistimit nga Albin Krasniqi. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në minutën e 53’, Ferizaj e dyfishoi epërsinë me supergolin e Gentrit Ramusës, ndërsa pak minuta më pas gjithçka u lehtësua për vendasit, me Elton Calen e Gjilanit që u përjashtua nga loja me karton të kuq (58’).

Nga ai moment e tutje, Ferizaj e kontrolloi për mrekulli ndeshjen dhe e mbylli atë me fitore.

Kështu, Ferizaj del nga zona e rrezikshme, duke shtuar shpresat për mbijetesë, ndërkohë Gjilani rrezikon edhe më tepër humbjen e vendit të tretë, i cili dërgon në Evropë.

You Might Also Like