Pas fitores ndaj Llapit me rezultat 1:0 dhe kalimit në Finale të Kupës së Kosovës në Futboll, kryetrajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani ka theksuar:
“Derisa arritëm t’i mposhtim në dy takime, nuk mund të thuhet se nuk e merituam finalen. Para dy ditëve na u lëndua në stërvitje Arbër Prekazi, Besar Musolli luajti me temperaturë të lartë. Dha maksimumin ani pse nuk ishte në gjendje të mirë. Edhe Mevlan Zeka ka çaluar nga minuta e parë. I uroj futbollistët për angazhimin. Kanë bërë punë mjaftë të mirë. Deri më 9 janar nuk e kemi ditur se a do të vazhdojmë garat apo jo, ndërsa sot prekim finalen e Kupës. Kjo është meritë e futbollistëve. Besoj që në asnjë takim, qoftë në kampionat apo në Kupë nuk e kemi kursyer asnjë futbollist. Jemi futur me gjithë fondin. Asnjëherë nuk e kam cekur te lojtarët se ne me këtë fond nuk mund të luftojmë në të dyja garat. Gjithmonë u kam thënë se mundemi dhe kemi kualitet, kemi mundësi. U vërtetua ajo që mundemi, pavarësisht fondit të vogël. Kemi pasur shumë lëndime e suspendime. Jam i lumtur që prekëm finalen por ne përmbushemi vetëm nëse e fitojmë trofeun pas 23 vjetëve. Si duket do të shkruajmë histori të re. Besoj dhe shpresoj. Kam besim te futbollistët. Është viti për të shkruar histori”, përfundoi Ramadani.