Sportet me dorë

Kampioni i Kosovës në volejboll vendoset në Gjilan

Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani ka bërë rikthimin e madh duke barazuar serinë e fitoreve me Skenderajn në 2:2, shkruan kryelajmi.com

Në ndeshjen e katërt të zhvilluar në Palestrën e Sporteve “Ilaz Kodra” në Skenderaj, Drita ka shënuar fitore të madhe me rezultat 3:0 në sete.

Drita e ka nisur shumë mirë ndeshjen, kur nëpërmjet shërbimeve të Megi Bislimit arriti të shkëputet në pesë pikë, epërsi që diti ta ruajë, kurse në këtë pjesë të lojës kanë shkëlqyer Loresa Avdyli dhe amerikania Strumbller, andaj në fund shifrat shënonin 16:25.

Seti i dytë në pamje të parë duket se ishte më i ngushtë, por në këtë set epërsia e Dritës u ngushtua krejt në fund dhe KV Drita këtë set e fitoi me rezultat 23:25.

Loja e mirë e Dritës ka vazhduar edhe në setin e tretë dhe lojtareve të lartpërmendura me lojë të mirë iu bashkëngjiten edhe Prenga, Kadriu, Erbruga, Shabani e Kruti.

Në këtë ndeshje që mblodhi numër të madh shikuesish, kryetrajneri i Dritës, Lorik Ilazi edhe njëherë dëshmoi se është mjeshtër i lojës, atëherë kur është më së shumti e duhur dhe ndeshjen ka përgatitur mirë, ekipi i tij luajti me urti e mençuri dhe gjithçka i shkoi për dore.

Vende për përmirësim më nuk do të ketë për të dy ekipet, ngase ndeshja e pestë që luhet këtë të diele do të vendosë se kush do të bëhet kampione e Kosovës në Volejboll për stinorin 2022/2023. Ndeshja do të luhet në palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan./kryelajmi.com/.

Skenderaj – Drita 0:3 (16:25, 23:25, 17:25)

You Might Also Like