Drita ka fituar kryendeshjen ndaj Gjilanit dhe vazhdon të mbajë gjallë shpresën për titull kampioni. Ekipi bardh e kaltër që ka hyrë në një seri të mirë të rezultateve ka shfrytëzuar dy raste që i pati për të shënuar dy herë, derisa Gjilani që ka bërë një ndeshje të mirë nuk ia doli asnjëherë që të krijojë ndonjë rast të mirë shënimi, ngase u mungoi pasimi i fundit, i cili rëndom bllokohej nga mbrojtësit e Dritës.
Në 30 minutat e parë të ndeshjes nuk pati ndonjë rast të mirë shënimi. Kanë qenë lojtarët e Gjilanit që kanë tentuar dy herë me gjuajtje nga largësia dhe të dyjat kanë shkuar jashtë portës së Smakiqit.
Në minutën 34 Drita ka tentuar për herë të parë, kur Blend Baftiu nga e majta gjuajti, por topi shkoi mbi portën e Bllacës.
Në minutën 42, Besnik Krasniqi u rrëzua në brendi të zonës dhe gjyqtari Zasella u ftua që të shikoj VAR-in, por ai nuk dha penalti, e as që e ndëshkoi Krasniqin, ashtu siç kërkuan lojtarët e Gjilanit.
Në minutën 44, pas një aksioni të zgjatur, në mbrojtje lojtarët e Gjilanit ndërhynë ngathtë me kokë, Besnik Krasniqi asistoi deri te Ajzeraj, i cili qëlloi topin me këmbë dhe e qëlloi këndin e poshtëm të majtë të Bllacës për 1:0.
Në pjesëlojën e dytë Gjilani pati më shumë nga loja, e cila në disa raste ishte paksa më e ashpër dhe ekipet assesi nuk po mund të krijonin ndonjë rast më të mirë për të shënuar. Krejt kjo zgjati deri në minutën 82, kur pas një aksioni që nuk premtonte shumë, zëvendësuesi Prapashtica u fut në brendi të zonës dhe harkoi në anën e kundërt në të majtën, ku u gjet zëvëndësuesi tjetër, Ardit Tahiri, i cili nga afërsia gjuajti në këndin e poshtëm të djathtë për të shënuar për 2:0./kryelajmi.com/.