Skuadra pejane Borea ka marrë kreun e Ligës së Parë me fitoren e sotnme të shënuar në “Bashkim Selishta” të Gjilanit duke e mposhtur Dritën me rezultat 71-75.
Borea ka dominuar ndeshjen në pjesë të parë për të krijuar dallim të mjaftueshëm, që edhe me të gjitha që u mundua Drita në pjesë të dytë nuk arriti ta kapë rezultatin.
Trajneri Hekuran Husaj u dha mundësi të gjithë lojtarëve që i kishte në dispozicion të kenë minuta sonte, ndërsa Sokol Nila me 21 dhe Bujar Çeku me 14 të shënuara kanë qenë më të dalluarit në ekip.
Te Drita, ku gjithashtu trajneri Agron Bislimi u dha mundësi thuajse secilit të shijoj parketin, me nga 16 pikë të shënuara u dalluan Diant Maksuti dhe Qëndrim Demi.
Me këtë fitore, Borea merr kreun e Ligës së Parë duke bërë bilancin 3-1, ndërsa Drita mbetet ende pa fitore këtë stinor, pasi ka bilanc 0-3 tash.