Vitin e kaluar ishin shpallur kampionë të Kosovës në volejboll e një sukses të tillë e kanë arritur edhe sivjet. Djemtë e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” sërish janë shpallur kampionë kampionë të Kosovës në volejboll. Një sukses të tillë ata e kanë arritur pas dy ditë garave. Fillimisht të shtunën në ndeshjet e zhvilluara në Drenas, djelmoshat e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” mundën bashkëmoshatarët e tyre nga Lipjani me 2:0 në sete. Ekipi nga Lipjani ishte i përbërë nga lojtarë shumë të mirë që luajnë edhe nëpër klube, por që kjo nuk i ndali ata që të kalojnë tutje.
Në ndeshjen e radhës, po në Drenas, ata mundën edhe ekipin nga rajoni i Mitrovicës me rezultat 2:0 dhe arritën finalen e madhe.
Një ditë më pas, në Palestrën “1 tetori” u përmbyll Gjimnaziada e sivjetme, ku u luajtën të gjitha finalet, kurse ajka e kësaj ditë ishte lënë për fund, kur në finalen e madhe të volejbollit u përballën djemtë e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe ata të Gjimnazit “Jeta e re” nga Suhareka dhe pas një loje të shkëlqyeshme, më të mirë dolën gjilanasit që fituan me rezultat 2:0 në sete.
Ekipi që udhëhiqej nga profesori i Kulturës Fizike dhe Sportit, Blerim Shala përbëhej nga lojtarët: Dion Latifaj, Vebi Syla, Jon Maliqi, Amar Isufi, Engjull Surdulli, Olt Bajrami, Blin Jakupi, Drit Sadiku, Yll Ibrahimi, Ammar Ismajli, Ledion Pajaziti dhe Maliq Arifi.
Ndryshe lojtari më i vlefshëm i këtij turneu MVP është shpallur lojtari Dion Latifaj edhe atë me plotë meritë, ngase ishte i pandalshëm nga çdo pozitë.
Bekim Mustafa, i cili ishte i pranishëm në këtë finale ka përgëzuar lojtarët për suksesin e arritur dhe ka theksuar se këta nxehës dy herë radhazi e dëshmuan se janë të suksesshëm dhe se për dy vite radhazi janë shpallë kampionë, edhe atë pa e humbur asnjë set.
Edhe Blerim Shala ka thënë se ka punuar tri vite për të ndërtuar këtë ekip, i cili e ka mbyllur një kapitull tejet të suksesshëm, por se ai do të vazhdojë të ndërtojë një gjeneratë të re, me lojtarë të rinj, të cilin do të ruajnë traditën e të shpallurit kampionë.
Duke ditur se Blerim Shala është një punëtor i palodhshëm, pritet që ky sukses të arrihet edhe në vitet e ardhshme.