Ekzekutivi i Gjilanit po ia pamundëson shërbimet 40 fëmijëve me aftësi të kufizuara, LDK përkrah protestën dhe kërkesat e Handikosit e Shoqatës së të Verbërve
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan, shpreh shqetësimin e madh që pushteti i VV-së në Gjilan po ua pamundëson shërbimet 40 fëmijëve me aftësi të kufizuara të cilat tash e 25 vite janë ofruar në Handikos dhe në Shoqatën Ndërkomunale të personave të Verbër.
Si përfaqësues të qytetarëve të Gjilanit, si LDK së bashku me partnerët, kemi miratuar në Kuvendit Komunal të Gjilanit kërkesat e këtyre shoqatave për mbështetje financiare në shumën prej afro 49 mijë euro në muajin mars, mirëpo pushteti i VV-së sot e asaj ditë nuk i ka zbatuar këto vendime, të cilat janë obligative për ekzekutivin.
Arsyetimi i tyre për mungesë të mjeteve financiare është i paqëndrueshëm sepse sot janë mbi 2.5 milionë euro në buxhetin e Komunës të papërcaktuara.
Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre, jo vetëm që nuk kanë çasje të barabartë dhe mungesë të kujdesit nga Komuna, por tani po iu mohohet e drejta që ligji por edhe Kuvendi Komunal kanë vendosur në buxhetin e vitit 2024 që të ndihmohen. Mohuesi ka emër!
LDK kërkon nga i pari i ekzekutivit që t’i zbatoj në mënyrë urgjente vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ashtu që këta fëmijë të rifillojnë t’i marrin shërbimet shumë të domosdoshme për ta.
Zyra për Marrëdhenie me Publikun e LDK-së në Gjilan,