Futboll

Dritës i duhet ndeshje shumë e madhe në Prishtinë për të kaluar Legian

FC Drita ka arritur suksesin e saj më të madh në Evropë me kualifikimin në play-offin e Europa Conference League ku përballë ka ekipin e njohur polak Legia Warszawa. Legia nuk është e panjohur për bardh e kaltrit të Gjilanit, pasi që vite më parë ishin ndeshur në garat evropiane, kur në kohë pandemie polakët kishin ngadhënjyer me rezultat 2:0 edhe atë në një ndeshje. Njëjtë ishte edhe kësaj radhe, por tashti ka ndeshje të kthimit.

Të përzgjedhurit e Zekirija Ramadanit ishin zotuar se do të angazhohen shumë për të bërë historinë, andaj me përkushtim të madh i kanë hyrë kësaj ndeshje.

Vendasit që nga fillimi i ndeshjes u sulën drejt portës dhe me disa gjuajtje nga largësia tentuan të rrezikojnë portën e Malokut. Drita po mbahej mirë, por vetëm deri në minutën 30, kur pas një ndërhyrje nga prapa të Hasan Gomdas, lojtari i Dritës fillimisht u ndëshkua me karton të verdhë, pos pas ndërhyrjes së sistemit VAR ai u ndëshkua me të kuq.

Vendasit rastin më të mirë e patën në minutën 32, kur pas një harkimi nga e djathta Kramer gjuajti me kokë, por portieri Maloku u hodh në shtyllën e majtë dhe shpëtoi gol të sigurt. Kramer gjuajti me kokë edhe në minutën 37, por edhe kësaj radhe Maloku me një intervenim të bukur ndali gjuajtjen e tij.

Drita rastin më të mirë e pati në minutën 42, kur pas një harkimi të Besnik Krasniqit, Messa gjuajti nga afërsia , por gjuajtje e tij u bllokua dhe topi shkoi jashtë fundores, kështu që pjesa e parë përfundoi me rezultat 0:0.

Legia rastin më të mirë e pati në minutën 53, por Mesa shpëtoi gol të sigurt duke nxjerrë topin nga vija e portës. Por, tre minuta më pas Kramer ka shënuar gol me kokë, pasi që nga e majta është shërbyer nga WSzolek. Ishte kjo një kohë kur lojtarët e Dritës kanë shfaqur një dozë lodhjeje, ngase nga minuta 30 ishin me një lojtarë më pak në fushë dhe duhej vrapuar shumë për të mbuluar zbraztirën që la Hasan Gomda.

Megjithëkëtë, Drita arriti të stabilizojë dhe të ulë ritmin e ndeshjes, duke ruajtur freskinë, por pa mundur të sulmojë. Por, në minutën 83, Legia organizoi një sulm shumë të mirë dhe realizoi një gol shumë të mirë nëpërmjet lojtarit sulmues Gual. Në fakt ky gol erdhi si pasojë e trimërimit të Dritës, e cila hapi lojën dhe nisi më tepër të sulmojë. Kjo ka mundur t’u kushtojë edhe në minutën 86, por Kapuska në vend të portës qëlloi transversalen, por vetëm pasi Maloku i kishte ndërruar drejtimin e  topit.

Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Prishtinë

You Might Also Like