Gjilan

Kuvendi i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, opozita pretendon se Komuna i ka dërguar Institutit GAP informata të gabuara

Gjilan, 21 tetor 2024 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur të hënën seancë të jashtëzakonshme, e cila është ftuar nga opozita, me një pikë të rendit të ditës “diskutim rreth informatave të gabuara që Komuna e Gjilanit ka dërguar në Institutin  GAP lidhur me mbajtjen e premtimeve të Kryetarit të Komunës”, me pjesëmarrje vetëm të partive opozitare (LDK-PDK-AAK-Vatra dhe të një asambleisti të VV-së).
Pretendimet e opozitës se “Komuna ka dërguar informata të gabuara në Institutin GAP” i ka paraqitur në emër të grupit të LDK-së, Gentrit Murseli, i cili tha se nga viti i kaluar ka pasur informacione se vartësit e kryetarit të Komunës do t’i dërgojnë këto informata.
Pas publikimit të raportit në vitin 2024, ai tha se ka vlerësuar se s’ka pasur një verifikim profesional nga ana e këtij Instituti, lidhur me premtimet që konsiderohen të përmbushura, gjysmë të përmbushura dhe të filluara.
“Janë së paku 20 premtime që kryetari i Komunës dhe vartësit e tij kanë dërguar informacione të gabuara në GAP e këta të fundit nuk kanë bërë një verifikim profesional”, tha Murseli.
Bujar Nevzati, shef i këshilltarëve të PDK-së në Kuvend, tha se askush nuk beson që janë realizuar 80 për qind e premtimeve të kryetarit të Komunës.
Ismajl Kurteshi nga VV tha se sot do të ishte mirë që sot të ftohej GAP-i, pasi LDK ka filluar vërejtjet nga ky institut.
“Përndryshe, unë e përkrah çdo çështje që këshilltarët komunalë vlerësojnë se duhet ta ngrisin në Kuvendin e Komunës në interes të qytetarëve”, tha ai.
Nazim Gagica, shef i grupit të AAK-së, ka vlerësuar se seancat e jashtëzakonshme do të duhej të thirreshin për një çështje më të madha se kjo e GAP-it, derisa ka shtuar se nuk ka gjetje më të mirë se vlerësimet e qytetarëve.
“Nëse këto të dhëna janë njëburimore, GAP do të duhej të dalë në terren për verifikim”, theksoi Gagica.
Në fund, kuvendarët prezentë, në përjashtim të asambleistit të VV-së i cili ka abstenuar, kanë votuar ka një rekomandim të Kuvendit Komunal për “rivlerësimin e të dhënave të dërguara nga Zyra e kryetarit lidhur me vlerësimin e premtimeve”.
Ndërkohë, kuvendarët e Gjilanit, në seancën e rregullt, kanë miratuar Projekt rregulloren e re për ndarjen e bursave, e cila ka qenë iniciativë e Ismajl Kurteshit (VV), kërkesën e këshillit të fshatit Zhegër për ndarjen e parcelës për ndërtimin e Memorialit të martirëve të vitit 1999, kërkesën e banorëve të fshatit Goden për identifikimin e varezave të banorëve të këtij fshati në Vrapçiq, të prezantuara nga Muhadin Haziri (LDK), përkatësisht Imran Haziri (LDK).
Kuvendi ka diskutuar edhe për rritjen e kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara, të cilët kanë nevojë për përkrahje, e të cilët kanë nevojë për integrim në shoqëri, duke votuar një rekomandim që ekzekutivi ta funksionalizojë Fshatin e Lumtur.
———————————————–
Mbledhja e jashtëzakonshme dhe ajo e rregullt e Kuvendit Komunal të Gjilanit është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livrstream, në faqen zyrtare të Komunës në facebook dhe në mediat lokale.

You Might Also Like