LAJME

Vazhdojnë mospjatimet pozitë-opozitë në Kuvendin e Gjilanit

Gjilan, 22 tetor / Seanca e radhës e Kuvendit të Komunës së Gjilanit pritet të jetë ndër më të ngarkuarat e këtij viti, pasi Komiteti për Politikë e Financa, ka rekomanduar sot për miratim 15 pika të ndryshme, duke filluar nga Raporti i auditimit e deri te shpallja e konkursit për bursat e nxënësve.

Në të vërtetë, mospajtimet pozitë-opozitë kanë vazhduar edhe në këtë mbledhje të KPF, ku këshilltarët e LVV kërkuan futjen në rend dite të propozim-vendimit për miratimin e buxhetit 2025, inkubatorin e biznesit, bartjen e mjeteve në shumë prej 2.5 milionë euro si dhe raportin e kryetarit për periudhën janar-qershor 2024, por të gjitha këto u refuzuan nga opozita, e cila e ka shumicën në këtë trupë komunale, sikurse edhe në Kuvend.

Pasi propozimet e tyre nuk morën votat e mjaftueshme për t`u përfshirë në rend dite, përfaqësuesit e LVV e braktisën mbledhjen në shenjë mospajtimi e pakënaqësie.

Përndryshe, KPF i miratoi propozimet e Nazim Gagicës për mbështetjen e grave të prekura nga kanceri si dhe atë të Ismajl Kurteshit për ndarjen e bursave për nxënës.

Fillimisht, përfaqësuesit e LVV në KPF kishin vërejtje te thirrja e mbledhjes brenda nje dite, duke mos iu dhënë mundësi të shfletojnë as materialet dhe si kusht për të vazhduar bashk࡙ëpunimin, paraprakisht kërkuan një dakordancë me opozitën për normalizimin e punës në Kuvend, i cili ka hyrë në krizë prej qershorit e këndej.

Kryesuesi Kushtrim Kadriu tha se KPF është thirrur në afat kaq të shkurtër për shkak se Kuvendi edhe ashtu ka vonesa në mbajtjen e mbledhjeve të planifikuara për këtë vit dhe ka çështje me rëndësi për miratim, për të cilat duhet të zihet afati.

Përndryshe, KPF rekomandoi për Kuvend këto pika: Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023 (Plani i veprimit për zbatimin e Rekomandimeve të Zyres Kombëtare të Auditimit), Vlerësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, Raporti i punës i Ndërmarrjeve Publike Lokale “Stacioni i Autobusve”, “Tregu” dhe “Ecohigjiena”, Kërkesa nga Qendra për Hulumtim dhe Monitorim-Preshevë, Kërkesa për mbështetje financiare të OJQ “LIZA-R”, Raporti financiar 9 mujor janar-shtator 2024, Miratimi i akteve të përgjithshme sipas nevojës, Shqyrtimi i propozim vendimeve dhe kërkesave nga ekzekutivi i Komunës, Miratimi i statutit të ansamblit, Raporti i komisionit për emrin e rrugëve, Ndryshimi dhe plotësimi i vendimit nr. 016-20437 të datës 23.02.2023 për formimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave për territorin e Komunës së Gjilanit (propozim i shoqatës “Ali Hadri”), Zëvendësimi i Agim Hotjanit nga Komisioni për njohjen e Meritave Historike, Raporti i komisionit  për zgjedhën e këshillave lokale.

You Might Also Like