Gjilan

Ish-gjenerali amerikan viziton Komunën e Gjilanit

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, bashkë me drejtorin e Arsimit Shpend Nuhiu, atë të Bujqësisë Bajram Isufi, drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim Bejtullah Osmani dhe nga zyra e kryetarit Nëntor Shaqiri, kanë pritur në takim gjeneral major Timothy E. Orr, ish-komandant i Gardës Kombëtare të Iowa dhe mik i shquar i popullit dhe shtetit të Kosovës dhe gjeneral brigadierin e FSK-së Xhavit Gashi.
Po ashtu është realizuar edhe një vizitë në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” dhe Skollën Teknike “Mehmet Isai” ku dhe janë zhvilluar biseda me nxënësit.
“Në emër të kryetarit të komunës Alban Hyseni, institucioneve tona dhe qytetarëve tanë, ju dëshirojmë mirëseardhje dhe ju falënderojmë për kontributin tuaj në vendin tonë në kohërat më të vështira”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja falënderoi gjeneralin amerikan për partneritetin dhe mbështetjen e dhënë të vazhdueshme, duke shpresuar në thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme.
“Mirënjohëse për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve binjake të Gjilanit dhe Siox Partneriteti ynë është dëshmuar të jetë një përvojë e vlefshme dhe e pasur për të dy komunitetet tona, duke nxitur shkëmbimin kulturor, arsimin, bujqësinë, sigurinë, rritjen ekonomike dhe mbështetjen e ndërsjellë”, tha Morina Bunjaku.
Sipas saj, suksesi i bashkëpunimit tonë është një dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve të të gjithë të përfshirëve nga autoritetet lokale e deri te anëtarët aktivë të komuniteteve tona.
Nënkryetarja, shtoi se bashkërisht kanë arritur momente të rëndësishme që kanë forcuar lidhjet midis qyteteve tona dhe kanë pasuruar jetën e qytetarëve tanë. Ne mezi presim të ndërtojmë mbi këtë themel të fortë, të eksplorojmë mundësi të reja dhe të zgjerojmë më tej fushat tona të bashkëpunimit për të mirën e të dy komuniteteve”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.
Nga ana tjetër ish-gjenerali amerikan Timothy E. Orr, ndihet i lumtur që po viziton Gjilanin, duke premtuar mbështetje në fusha të ndryshme me rëndësi për qytetarët sidomos në fushën e arsimit, bujqësisë, sigurisë, kulturës e zhvillimit ekonomik.

You Might Also Like