Në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti’’ është mbajtur një aktivitet nga Klubi i Psikologjisë që për qëllim kishte të shpërfaq ndikimin e dukurive negative dhe përdorimin e substancave narkotike tek të rinjtë, ngjarje kjo e organizuar nën përkujdesjen e psikologes së shkollës Kaltrina Jetishi dhe profesoreshës së psikologjisë Festa Demiri.
Fillimisht, psiokologia Kaltrina Jetishi ka folur për përgatitjet dhe punën që është bërë me nxënës në realizimin e këtij aktivitetiti, kurse Shpend Nuhiu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan u është drejtuar nxënësve pjesëmarrës duke kërkuar ata që të kenë kujdes dhe që të mos bien pre e substancave narkotike dhe dukurive të tjera negative. Në këtë aktivitet ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Gjimnazit Natyror Bekim Mustafa, rreshterja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku, ka folur për të gjitha dukuritë negative që po i prekin të rinjtë dhe ajo është ndalë me theks të veçantë me armët e ftohta që janë gjetur tek nxënësit në kampusin shkollor, por edhe dukurinë e gjetjes së substancave narkotike.
Nxënësit që kanë prezantuar aktivitetet e tyre ishin të ndarë në dy grupe. Kështu, grupi i parë i përbërë nga nxënësit Engjëll Pajaziti – X-3, Vesa Kqiku – X-3 dhe Melda Kqiku – X – 1, kanë paraqitur punimet e tyre në lidhje me dukuritë negative dhe ndikimin e tyre tek të rinjtë, derisa grupi i dytë i përbërë nga nxënësit Violë Bunjaku – XII-3, Blinerë Shabani – XI-5 dhe Lion Kadriu – X-3 kanë prezentuar aktivitetin e tyre në lidhje me substancat narkotike dhe ndikimin e tyre tek të rinjtë.