Pas humbjes shokuese me Malishevën në minutën e fundit të kohës shtesë, Gjilani ka udhëtuar në Prishtinë me besimin se do të përsërisë ndeshjen e suksesshme që e pati ndaj Lirisë, derisa edhe Prishtina kishte bërë llogaritë e veta, ngase deri më tash nuk ka pësuar asnjë humbje në kryeqytet.
Të dy ekipet ndeshjen e nisën me kujdes, me disa tentime më të shumta të Prishtinës, që mëtonte të rrezikojë pak më tepër. Por në minutën 28, pas një shpërthimi nga e majta të Oltion Bilallit dhe harkimit në brendi, Senad Jaroviq qëlloi këndin e epërm të majtë të portës së Prishtinës për rezultatin 0:1. Mirëpo pak minuta më pas, pas një harkimi nga këndi, Senad Jaroviq aksidentalisht preku topin me dorë dhe pas rishikimit në VAR gjyqtari dha penalti për Prishtinën, të cilën në minutën 36, Leotrim Kryeziu e shndërroi në gol për 1:1.
Në minutën 39, Jaroviq pati rast të mirë shënimi pas harkimit nga e djathta, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi në duart e portierit Nika. Në minutën 40, pas ndërhyrjes së Jakubut në Ibrahimin gjyqtari dha penalti për Gjilanin, por pas ndërhyrjes së VAR-it doli se fauli ishte shkaktuar jashtë zonës. Pjesa e parë u mbyll baraz 1 me 1.