Hendbolli kosovar ka njohur një rrugëtim të veçantë dhe të mbushur me sfida, por edhe me arritje historike, falë kontributit të figurave të shquara si Mexhit Devaja. Ky emër i madh i sportit, që me përkushtim dhe vizion diplomatik, vendosi hendbollin e Kosovës në hartën ndërkombëtare, mbetet simbol i sakrificës dhe dashurisë për sportin.
Historia e hendbollit në Kosovë fillon në vitin 1948, kur për herë të parë u luajt hendbolli i madh. Megjithatë, ishte hendbolli i vogël, i sjellë nga pionierët Bardhyl Zajmi, Xhavit Spahiu dhe Masar Begolli në vitet 1959-1961, që hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm. Kjo trashëgimi u bart nga figura të tjera të rëndësishme, mes të cilëve shkëlqen Mexhit Devaja.
Devaja, si kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), filloi një mision që askush tjetër nuk e kishte ndërmarrë më parë: ta bëjë hendbollin kosovar pjesë të arenës ndërkombëtare.
Ky mision nisi që në vitin 1988, kur lobimi i tij filloi të marrë formë serioze. Përmes takimeve të pandërprera me drejtues të federatave evropiane dhe botërore, ai krijoi një rrjet mbështetësish që më në fund kurorëzoi suksesin në vitin 2004.
Pas gjashtë vitesh negociata dhe përpjekje të pandërprera, më 18 dhjetor 2004, në Budapest të Hungarisë, sakrifica e Devajës u shpërblye.
Federata e Hendbollit të Kosovës u pranua në Federatën Europiane të Hendbollit (EHF) me 20 vota pro dhe vetëm 6 kundër. Ky moment historik përfaqësonte një kthesë të madhe për sportin kosovar dhe për vendin në tërësi, që sapo kishte dalë nga një periudhë e vështirë pas luftës.
Në një deklaratë emocionuese, Devaja kujton vështirësitë e panumërta të asaj kohe, duke përfshirë presionet politike dhe mungesën e kushteve bazë.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur vendi ynë për herë të parë hyn në arenën botërore të sportit. Sakrificat janë të shumta dhe jam krenar që gjithmonë kam kontribuar për hendbollin e Kosovës,” u shpreh Devaja.
Mexhit Devaja nuk ishte vetëm një drejtues sportiv, por një simbol i sakrificës dhe vendosmërisë për të çuar përpara sportin dhe vendin e tij. Me pasionin e tij të palodhur, ai deklaroi publikisht:
“Nëse nuk pranohet hendbolli i Kosovës në Budapest, trupin tim do ta gjeni në lumin Danub.” Këto fjalë tregojnë shpirtin e tij luftarak dhe vendosmërinë për të arritur suksesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa Hasan Mustafa, kryetari i Federatës Botërore të Hendbollit, vlerësoi punën dhe përkushtimin e tij duke thënë: “Sikur t’i kisha kryetarët e federatave si Mexhit Devaja, hendbollin do ta bëja sportin numër një në botë.
” Mexhit Devaja la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit të Kosovës. Përpjekjet e tij nuk janë thjesht një kapitull i kaluar, por një frymëzim për brezat e ardhshëm të sportistëve dhe drejtuesve sportivë. Ne sot e falënderojmë atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe jemi krenarë që patëm rastin të mësojmë nga vizioni dhe sakrifica e tij. Legjendat e popullit lindin duke dhënë gjithçka për të, dhe Mexhit Devaja është një prej tyre – një hero i sportit dhe një shembull për gjithë shqiptarët.