Deklaratë
Në emër të institucionit dhe si Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kam kënaqësinë të ndaj me qytetarët e Gjilanit një rrugëtim të gjatë, të vështirë, por jashtëzakonisht domethënës: ndërtimin e Stadiumit të Qytetit – një ëndërr e kahershme për sportdashësit, të rinjtë dhe të gjithë komunitetin tonë.
Ky projekt nuk ka qenë i lehtë. Përkundrazi, është njëra nga sfidat më komplekse me të cilat jemi përballur ndonjëherë si institucion. Gjendja e tij në raportin e Auditorit Kombëtar ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne – ku përmendej qartë tejkalimi i pozicioneve, ndalja e punimeve dhe bllokimi total i projektit për shkak të mungesës së projektit zbatues.
Ishte një situatë e palakmueshme, që për më tepër kishte sjellë deri në ndërprerjen e kontratës me operatorin ekonomik, për shkak të pamundësisë për të vazhduar më tej pa dokumentacionin bazik ligjor.
Në momentin kur morëm përsipër këtë sfidë, gjithçka nisi nga pika zero. Ne harmoni me MKRS, filluam me hartimin e projektit të ri, të detajuar, duke respektuar të gjitha standardet bashkëkohore të UEFA-s, por edhe duke pasur parasysh kushtet reale të parcelës në fjalë. Madje, edhe ajo tokë që ishte dedikuar për stadium, për shumë vite kishte qenë e zënë nga kultura të ndryshme bujqësore, dhe largimi i tyre ishte një proces i ndërlikuar e me shumë tension, që kërkonte koordinim me institucionet tjera përgjegjëse.
Pas kalimit të kësaj sfide, u pajisëm me leje ndërtimi dhe dokumentacion të plotë për të nisur procedurat e prokurimit.
Ishin muaj të tërë pune teknike, koordinime ndërinstitucionale, konsultime me profesionistë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Por sot, me krenari dhe me emocion të thellë, ju njoftoj se kontrata për fillimin e punimeve për Stadiumin e Qytetit është nënshkruar! Ky është një moment historik për Gjilanin. Stadiumi do të fillojë së ndërtuari dhe, sipas planifikimeve, do të përfundojë brenda 24 muajve të ardhshëm.
Stadiumi i Qytetit nuk është vetëm projekt ndërtimor – është simbol i besimit, i durimit dhe i përkushtimit për të çuar përpara një vizion që i takon të rinjve tanë, sportistëve tanë dhe brezave që vijnë.
Gjilani e meriton një stadium modern. Dhe sot, më shumë se kurrë, jemi më afër realizimit të kësaj ëndrre.
Me respekt,
Kushtrim Zeqiri
Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Komuna e Gjilanit