Shkruan: Shemsi Doda
GËNJESHTRA
Teksti: Florian Zeller
Regjia: Ekrem Sopi
Rolet: Alban Shahiqi, Safete Mustafa, Gani Rrahmani, Qëndresa Jashari
Sonte, në skenën e Teatrit të Gjilanit, u dha premiera e komedisë “Gënjeshtra” nga Florian Zeller – një vepër që zhbiron çështjet e moralit, besnikërisë martesore dhe realitetit të shtrembëruar nga emocionet dhe manipulimi. Në qendër të saj është një çift, Alice dhe Paul, që ftojnë për darkë një çift tjetër miqsh, por një zbulim i papritur nxjerr në pah dilemat mes të vërtetës dhe ruajtjes së qetësisë përmes gënjeshtrës.
Regjia e Ekrem Sopit solli një version të natyrshëm dhe të ndjerë të veprës, me një qasje delikate në dialogjet dykuptimëshe, të theksuara mjeshtërisht përmes sarkazmit që shpërtheu në humor spontan.
Aktorët shkëlqyen!
Me nuanca të përpunuara artistikisht, diksion të pastër, gjuhë trupi ekspresive dhe intonacion të përsosur, ata e ngritën këtë shfaqje në një nivel të veçantë.
Video-bimi, megjithëse në funksion të kohës, më la një përshtypje të pavend në raport me ndjesinë e përgjithshme të skenës.
Por elementet e tjera skenike i shërbyen shfaqjes me funksionalitet të plotë.
Një natë e bukur teatrore, që e vlen të përjetohet këtë e dëshmoi publiku me duartrokitje të gjata.