Fshati Dobërçan këtë të shtunë feston një ngjarje të madhe dhe të veçantë: 50-vjetorin e themelimit të klubit të futbollit KF “Studenti”, një vatër sportive që ka bashkuar dhe frymëzuar breza të tërë.
Nën moton “Brez pas Brezi”, festiviteti nis nga ora 19:30 dhe mbledh bashkë ish-futbollistë, adhurues të futbollit, banorë të fshatit dhe dashamirës të sportit nga më gjerë.
KF “Studenti” është themeluar në vitin 1975 nga rinia e fshatit – nxënës, studentë dhe punëtorë të apasionuar pas futbollit, të cilët vendosën ta pagëzojnë këtë klub me një emër shumë domethënës: “Studenti”, në nder të valës së madhe të studentëve shqiptarë që aso kohe po ndjeknin studimet në Universitetin e Prishtinës.
Ky emër u bë shumë shpejt simbol krenarie për Dobërçanin, duke përfaqësuar jo vetëm një klub futbolli, por një ideal të tërë – përparimin, bashkimin dhe pasionin.
Njëri nga futbollistët dhe kapiteni i parë i klubit, Shëngyl Imami, pas plot 50 vitesh, e kujton me mallëngjim atë periudhë:
“Ishim të rinj, jo vetëm të një fshati, por të bashkuar si vëllezër. Motoja jonë ishte ‘Një për të gjithë, të gjithë për një’. Ishin momente emocionuese. Emri ‘Studenti’ ishte krenari për ne, sepse simbolizonte rininë shqiptare që po shkëlqente në universitet. Ato vite ishin më të mirat e jetës sime – nuk i ndërroj as me diamantet e botës. Jam shumë i lumtur dhe krenar që isha pjesë e këtij klubi,” shprehet ai me nostalgji.
Ndeshjen e parë zyrtare, KF “Studenti” e zhvilloi si mysafir më 28 gusht 1975 kundër skuadrës së Zhegrës, me këtë formacion:
Shengyl, Imami, Rexhep Kryeziu, Avni Shabani, Ramiz Shabani, Qazim Huruglica, Avdyl Musliu, Njazi Zeqirovci, Izet Lebovci, Sabit Kryeziu, Musa Adili, Vlladimir Popoviq, Idriz Lebovci, Xhavit Bajrami dhe Isa Kastrati.
Kjo jubile i dedikohet të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre në sukseset dhe historinë e KF “Studenti”, nga themeluesit e parë e deri te brezat e rinj që e mbajnë këtë klub gjallë edhe sot.