Të nderuar sportdashës, trajnerë, futbollistë të rinj dhe dashamirë të futbollit,
Është kënaqësi e veçantë që në këtë fillim vikendi, hapim zyrtarisht edicionin e ri futbollistik 2025/26 nën organizimin e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan. Ky sezon do të jetë i veçantë, pasi garat tona startojnë me një format të ri, i cili synon të sjellë më shumë garë, emocion dhe zhvillim të talenteve të rinj.
Me shumë përkushtim dhe punë të përbashkët, kemi arritur që të gjitha stadiumet t’i paisim me porta adekuate për gjeneratën U13, duke krijuar kushte më profesionale dhe më të përshtatshme për fëmijët tanë që janë e ardhmja e futbollit tonë.
Në këtë fillim kampionati, dua t’i shpreh urimet më të sinqerta për sukses të gjitha shkollave të futbollit, trajnerëve dhe lojtarëve të rinj që do të marrin pjesë në këtë kampionat. Ju jeni energjia dhe shpresa që futbollit tonë i japin jetë dhe kuptim.
Le të jetë ky edicion një shembull i garës së ndershme, i respektit dhe i pasionit për lojën më të bukur në botë – futbollin.
Me respekt,
Armend Misini
Kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit – Gjilan