Është hapur ekspozita “Mitikja e një universi artistik” e profesorit Avni Behluli, në Galerinë e Arteve në Gjilan.
Kjo ekspozitë realizohet me rastin e 65 vjetorit dhe pensionimit.
Ai përmes skulpturës, ka arritur të kapë kohën, ta ndalë për një çast, ta gdhendë në dru, gur e në shpirt.
Kuratori e kësaj ekspozite, Gani Bytyçi, tha se Avniu ka festë të trefishtë: kremton ditëlindjen e tij, përmbyll edhe rrugëtimin e tij profesional, si pedagog arti, (pensionohet) dhe e bën një rekapitullim, një retrospektivë të të gjithë veprës së tij artistike.
Ai shtoi se mbi të gjitha këto, Avniu e ka një pasion, që është skulptura, instalacioni, vizatimi, piktura. Është arti, përgjithësisht.
“Në veprën artistike të autorit, shpalosen epokat, ndërthuren shekujt, jetësohen ngjarjet, skaliten personazhet. Aty shpërfaqen portretet e heronjve, lexohen e kujtohen ngjarjet historike dhe tragjikja e tyre”, tha Bytyçi.
Kuratori theksoi se krijohet mbamendja dhe përjetësohet historia. Aty takojmë luftëtarë e heronj të përmasave kreshnike, si ata të legjendave të lashta. Shohim skena me thyerje shpatash, gërshetim predhash, flijime e rënie në fronte betejash. Aty ndiejmë trishtim për humbje të dhimbshme, por edhe krenari për fitore të mëdha.
“Por, në veprën e Avniut jetësohen edhe ndjenja më sublime, si dashuria e shenjtërimi i jetës dhe krijimi e mbrojtja e saj. Pastaj kultivimi, ruajtja dhe bartja e trashëgimisë socio-kulturore e filozofike, si testament brezash”, tha Gani Bytyçi.
Kuratori shtoi se profesori, me skulpturën e tij, sikur i ka përbashkuar kohët, epokat, shekujt. Sikur e ka zënë me dorë amshimin, për ta sjellë para nesh, si komunikim artistik, si raport ndërmjet jetës,
historisë dhe artit, në mënyrë që publiku të mund të krijojë raportin e tij me kohën dhe me artin.
“Arti i Avniut është mit. Ai është miti i së kaluarës dhe i të sotmes. Është miti i atdheut dhe i lirisë së tij. Ai është miti i flijimit të luftëtarit. Arti i tij është miti i mbijetesës sonë. Ai është miti për femrën. Miti i amësisë së saj. Në veprën e Avniut mit është vendlindja e tij. Është gjuha dhe autoktonia. Është tradita kulturore. Mit, është vetë arti”, tha kuratori Bytyçi.
Ndërsa ai që mblodhi gjithë këta pjesëmarrës, profesori, Avni Behluli, the se ndihet shumë i lumtur për këtë pjesëmarrje në ekspozitën e tij.
Ai falënderoi edhe Drejtoratin pë Kulturë të Komunës së Gjilanit për mbështetjen që po i jep krijuesve jo vetë nga Gjilani, por edhe më gjerë.
“Është për tu lavdëruar Komuna e Gjilanit, për mbështetjen që po i jep krijuesve”, tha Behluli.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiu, i ka ndarë mirënjohje mjeshtrit Avni Behluli, për kontributin e dhënë
shumëvjeçar në sferën e arsimit dhe artit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 31 tetor.