Nexhat Rexha
FUQIA E NGJYRAVE NË RUAJTJE TË IDENTITETIT
Ekspozitë personale e Avni Behlulit në Dardanë
Arti në skalitje të mitit dhe simbolit, vjen në qytetin tonë me piktorin e kësaj treve Avni Behlulin, i cili me shtrirjen shumëdimensionale e koloritin e atdheut, po na rikthen traditën nga lashtësia deri në ditët tona.
Vepra artistike e Avni Behluli, shpalosë periudha historike, ato brenda thellësive të ngjyrave të japin shkëlqimin dhe në vete ruajnë konspiracionin e relikteve mitike. Pamja e relievi i pikturave, skulpturave të Avniut, është vetë jeta e këtij populli, të cilat në galerinë e tij shpirtërore shpërfaqin aktualitetet nëpër konfliktet e gjata, e të mundimshme, të fatit të njeriut tonë. Mitikja dhe heronjtë në veprat e tij, flasin në brendësinë e ngjyrave, gdhendjes së latuar, ato të ofrojnë shikueshmërinë tejpamëse, ato reflektojnë nëpër shkallët e panumërta të shekujve.
Përceptimi artistik në veprat e Avni Behlulit, ka shtrirje të gjerë në arealin kombëtar, ato vijnë të kristalizuara me protagonistët që flasin me kohët e tyre, për të dhënë e marrë testamentet e kohëve. Piktura dhe skulptura në veprat e Avniut, determinon ngjarje, epoka nga më të ndryshmet, ato flasin përmes simbolikës së miteve dhe realitetit.
Në këto koordinime idesh, veprat e Avniut, fillojnë nga vendlindja dhe kanë shtrirje në topografinë kombëtare, duke i tejkaluar kufijtë e atdheut tonë.
Punimet e Avniut, sot shtegtojnë nga atelieja e tij nëpër Ekspozita kombëtare e ndërkombëtare, ato komunikojnë dhe bartin mesazhin me praninë e tyre fizike nëpër qendra të ndryshme.
Kështu, bota artistike ndërlidh botën mitike në brumosje të identitetit nacional.

Përmbajtjet tematike në pikturat dhe skulpturat e Avniut, janë të ndërtuara me motive lirike dhe epike. Këto ndërlidhje krijojnë të dukshmen dhe të padukshmen, e që të dyja flasim përmes idesë në koloritin ngjyrave, këtë thesar ka ditur të ruaj vetëm njeriu ynë nëpër brezi, si vlerë e trashëgimi të kolektivitetit tonë.
Këto punime nëpër kohë të ndryshme, janë përvetësuar e keqpërdorur nga sundues të ndryshëm. Ato sot, vijnë e na rikthejnë në pasqyrim e pamje që i japim dukshmërinë me të mirë artit kombëtar. Në galerinë e punimeve të Avniut, flasin heronjtë e të gjitha epokave, ata janë të pranishëm, e sikur flasin me të gjitha orët e historisë. Po cilët janë ata që na bëjnë krenar me heroizmin e tyre, i gjithë përqendrimi i tyre na vështron përmes punës artistike të Avniut.
Në qytetit tonë në Gjimnazin “Ismail Qemali”, Avniu e punoi(2004), bustin e këtij atdhetari , cili për çdo ditë vështron hapat e qytetarëve tanë, me theks të veçantë vepra dhe emri i tij komunikon me gjeneratat e reja që i japin lirinë e fjalës vendit tonë.
Personazhet e Avniut, janë të shumtë, ata janë vetë jeta e punës dhe madhështisë artistike,si pamje dhe karkter që ruajnë gjymtyrët më të rëndësishme të fjalës së shkrirë nëpër botëkuptimet e ndërrimet e epokave njerëzore.Në këto ruajtje e bartje trashëgimishë të botës shqiptare, ato të ofrojnë japin faktografinë më shkenore të botës moderne.
Veprat e Avni Behlulit, në brendësi të tyre shpalosin : dhembjen, dashurinë, lindjet, vdekjet dhe mbi të gjitha ato brenda ngjyrave e skalitjes së tyre të japin testamentin për të ardhmen e vendit tonë.
Vepra e tij, flet me të gjitha gjallesat e këtij vendi, aty është flora e fauna, aty është thesari arkeologjik, si njëri ndër vërtetësitë që kanë ruajtur besniklrisht shekujt. Aty bashkudhëtojnë të portretizuara të gjitha veprat që kanë bërë historinë tonë.
Pra, aty e kemi simbolin, aty e kemi mitin, aty kemi metaforën, e cila i jep jetëgjatësinë punës e kreativitetit estetik veprave të Avniut.
Në këtë Ekspozitë dhe të tjera, që do vijnë urojmë që veprat e Avniut, të rrezatojnë vlerat e dalluara të kulturës sonë, ato veç kanë rrezatimin e tyre të shfaqur në mesazh dhe identitet.
Dardanë, më 24 nëntor 2025




