Teatër

Të rresh apo mos të rresh

Shkruan: Shemsi Doda
Teksti: A. Neilson
Përshtatja & Regjia: Shkumbin Istrefi
Rolet: Visar Etemi, Blerim Dardhishta, Vebi Qerimi, Teuta Ajdini-Jegeni, Fisnik Zeqiri, Dritëro Ame, Gentiana Ramadani, Melika Kastrati
Sonte, në Teatrin e Gjilanit, u shfaq komedia “Të rresh apo mos të rresh”, produktion i Teatrit Kombëtar – Shkup. Një komedi që nis me një situatë të thjeshtë në dukje: dy policë që duhet t’i lajmërojnë një familjeje një “tragjedi”. Por, shumë shpejt, del se kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë — dhe pikërisht këtu fillon zinxhiri i situatave që e ndërtojnë komiken e shfaqjes.
Regjia dhe adaptimi, ose më saktë shqiptarizimi i tekstit, janë realizuar duke ruajtur fabulën origjinale, por duke e pasuruar me nuance humoristike, satirike dhe delikate të mentalitetit shqiptar. Shkumbin Istrefi ka ditur t’i përziejë me finesë elementet e Artit të Komedisë së zezë me realitetin tonë të përditshëm, duke i dhënë shfaqjes pulsin e shikuesit vendas.
Regjisori me mjeshtri i ka theksuar batutat, të cilat vijnë natyrshëm dhe ndërtojnë situata komike gjatë gjithë shfaqjes. Ai ka shfrytëzuar maksimalisht veçoritë artistike të secilit aktor, duke krijuar një ansambël funksional, ritmik dhe të ekuilibruar.
Loja e aktorëve është e natyrshme, spontane, me dialogë të qartë — herë në dialekt, herë në gjuhë të pastër — duke sjellë një ekspresion të kontrolluar, gjuhë trupi dinamike dhe elemente të aktrimit modern. Shtrirja skenike është e pastër dhe funksionale, duke e mbajtur publikun të përqendruar dhe të argëtuar.
Skenografia, punuar me mjeshtri, me përdorimin e një strukture rotative me dy pamje, i jep hapësirë lojës së aktorëve dhe plotëson atmosferën e shfaqjes. Ndryshimet janë elegante dhe shërbejnë si pjesë e ritmit dramatik.
Kostumet, të përzgjedhura me kujdes, i japin secilit personazh identitet të qartë dhe e pasurojnë interpretimin.
Muzika, në funksion të plotë të ngjarjes, ritmon skenat, qartëson situatat dhe ndihmon në ndërtimin e dinamikës komike.
Në tërësi, “Të rresh apo mos të rresh” është një shfaqje që e kap publikun që në minutat e para, e mban të buzëqeshur deri në fund, dhe e lë me bindjen se komedia, kur bëhet me mjeshtri, mbetet një nga forcat më të gjalla të teatrit.
Jo rastësisht, sonte shfaqja u duartrokit me ovacione nga publiku, një mirënjohje e pastër për punën, përkushtimin dhe energjinë që ekipi solli në skenë.

You Might Also Like