Shkrimtarit |brahim Kadriu, në 80-vjetorin e lindjes i është ndarë çmimi “Nderi i qytetit”, kurse atë ia ka dorëzuar Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili ka theksuar:
Sot, në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, Drejtori i Drejtorisë për Kulturë z.Kushtrim Zeqiri ia dorëzoi çmimin “NDERI I QYTETIT” shkrimtarit të madh të letrave shqipe, z. Ibrahim Kadriu.
Ky çmim i lartë i Komunës së Gjilanit i ndahet z. Kadriu në shenjë mirënjohjeje dhe respekti të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën kombëtare, në letërsinë shqipe dhe në ruajtjen e kujtesës historike e shpirtërore të popullit tonë.
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të tij mbajtur me rastin e ndarjes së çmimit:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, të nderuar kolegë, krijues, miq të kulturës, zonja dhe zotërinj,
Sot jemi mbledhur për të nderuar një personalitet që i ka dhënë dinjitet, udhë dhe dritë kulturës sonë; një zë të veçantë të letrave shqipe, një ndër gurët themeltarë të identitetit krijues të Gjilanit dhe mbarë kombit tonë – shkrimtarin Ibrahim Kadriu, në 80-vjetorin e jetës së tij.
Në këtë përvjetor jubilar, Komuna jonë ka bërë një akt mirënjohjeje të merituar: kryetari i komunës, z. Alban Hyseni, i ka ndarë shkrimtarit Kadriu çmimin “Çelësi i Qytetit” – si simbol i dyerve të hapura të Gjilanit për një personalitet që gjithë jetën ia ka hapur shtigjet fjalës, dijes dhe kujtesës.
Dhe menjëherë pas kësaj ceremonie, si Drejtor i Kulturës, pata nderin që të propozoj në Kuvendin Komunal shpalljen e shkrimtarit tonë të shquar “Nderi i Qytetit”. Propozim i cili u votua unanimisht, sepse vepra e tij flet vetë, qartë, fuqishëm dhe përjetësisht.
Ibrahim Kadriu është prej atyre krijuesve të rrallë që e kanë shndërruar fjalën shqipe në dritë.
Vepra e tij e gjatë, e gjerë dhe e thellë, përbën një univers ku historia, njeriu dhe dhembja jonë kolektive marrin trajta estetike të pakrahasueshme.
Në tregimet e tij gjen rrënjët e popullit, në romanet e tij gjen udhëtimet shpirtërore të një kombi që ka kaluar furtuna, në analizat, portretet dhe refleksionet e tij gjen gurët e kujtesës që sot janë themel i identitetit tonë modern.
Pervec letrave shqipe, Ibrahim Kadriu është ruajtës i zjarrit.
I zjarrit të kujtesës, të drejtës dhe të atdheut.
Po e them kete, sepse:
Këtë vit, ky zjarr u përflak edhe një herë, në mënyrë të veçantë, me aktin e Nënës Stane – Stane Gashi-( NENA E UCK-se), e cila ndezi flakadanin e Flakës së Janarit. Një akt i pastër simbolik, një akt që e ngre lart sakrificën, kujtimin dhe vazhdimësinë.
E pikërisisht për këtë figurë, për këtë shpirt të madh të nënave shqiptare, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka shkruar librin e radhës, NËNA E MBI TREQIND LUFTËTARËVE, kushtuar Nënë Stanës, duke e kthyer në ART atë që populli e ka jetuar me dhimbje e krenari, gjatë luftës çlirimtare nga okupimi serb.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme këtë ditë.
Sepse ne po nderojmë një zë të ndërgjegjes sonë kolektive. Një penë që nuk është lodhur kurrë së shkruari për kombin, për lirinë, për njeriun shqiptar.
Të nderuar të pranishëm,
Është privilegj i jashtëzakonshëm për mua që, në emër të kryetarit të komunës, të kem nderin ta dorëzoj çmimin më të lartë që Komuna e Gjilanit e jep, çmimin “Nderi i Qytetit”, pikërisht njërit prej bijve më të përkushtuar të këtij qyteti.
Pervec simbolikes, ky cmim nga Gjilani është falënderimi ynë.
Ky cmim është mirënjohja jonë.
Ky cmim është respekti ynë i thellë për një jetë të tërë në shërbim të kulturës, atdheut dhe kombit.
Dhe tani, më lejoni ta kumtoj zyrtarisht motivacionin, ashtu siç është miratuar:
‘’NDERI I QYTETIT’’
Ibrahim Kadriu
“Në nderim dhe mirënjohje të kontributit të dhënë në rrugëtimin e popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e në veçanti për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut dhe kombit përmes letrave shqipe.”
Pra, ftoj Shkrimtarin e madh të letrave shqipe, z. Ibrahim Kadriu, ta marrë çmimin më të lartë që Komuna e Gjilanit e jep, çmimin “NDERI I QYTETIT”.





