Profesori, gazetari, publicisti dhe studiuesi i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin e katërt universitar të titulluar “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, gazetarëve dhe profesionistëve të sinqertë, të përkushtuar dhe të guximshëm në të gjitha kohërat e vështira.
Duke qenë për një kohë të gjatë pjesë e gazetarisë hulumtuese dhe hulumtues i shumë temave që kanë pasur peshë në Kosovën e pasluftës, autori ka thënë se ky libër, që mban një titull profesional “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, erdhi si përmbyllje dhe kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare në fushën e gazetarisë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.
Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.

“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.
Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.
“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në Kolegjin UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.
“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur, është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të





