Poetja Blinera Hajdari me poezinë “Përtej lëkure”, është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026”, që po mbahet në Gjilan, nën patronatin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, me mbështetje të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport.
Në hapje të këtij aktiviteti, Linditë Ramushi Dushku, përgjegjëse e kësaj shtylle të “Flakës…”, tha se “Flaka e Janarit”, nuk është vetëm një manifestim kulturor, por është një përkujtim i gjallë, një amanet historik, që mban gjallë kujtesën për të gjithë të rënët për liri, “Nëpërmjet këtij manifestimi, ne jo vetëm që kujtojmë veprën e tyre, por bëhemi dëshmitarë se fjala, kënga, arti dhe kultura mbeten format më fisnike të qëndresës sonë”, tha ajo.
Ja nëntëmbëdhjetë poetë, të përzgjedhur paraprakisht, që i lexuan poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”: Preng Maca – “Çifteli”, Fatmir Mehmeti – “Jetë e pakryer”, Flamur Shala – “Jam nis me ardh”, Liridon Hyseni – “Kolovajzë nën zhargon”, Shqipe Hasani – “Simfonia e sagave” Teutë Bajraktari Cakaj – “Pa zëvendësim”. Klejda Plangarica – “Fëmija i palindur”, Selajdin Shabani – “Kur më mungon diçka”, Sunaj Raimi – “Hipnoza e dashurisë”, Arlind Farizi – “Baba”, Alisa Bekteshi – “Njësoj”, Emrah Bilalli – “Drama e mistershme”, Sarë Gjergji – “Kur zëri dëbon hijen”, Blinera Hajdari – “Përtej lëkure”, Fatos Rushiti – “Dua të dal”. Mirvete Haziri-Bucolli – “Në sytë e tu digjet heshtja”, Sadbere Gagica Spahija – “Mit i ringjalljes”, Ajne Iberhysaj – “Në sytë e tu” dhe Selvete Abdullahu – “Sfond i ngjyrosur”.
Pas deklamimit të poezive konkurruese, juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Afrim Demiri, Alketa Spahiu dhe Arsim Halili, përzgjodhi poezinë fituese “Përtej lëkure”, të poetes Blinera Hajdari, çmim ky që fitueses do t’i dorëzohet në aktivitetin përmbyllës të “Flakës së Janarit 2026”, në “Gala Mbrëmje” që mbahet sonte (ora: 18:00).
Ky aktivitet letrar u pasuruar edhe me një pikë muzikore interpretuar nga Albina Jakupi, këngë e kompozuar nga profesori i ndjerë Isa Jakupi, kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, ndërsa të gjitha poezitë e deklamuara u shoqëruan me tingujt e pianos nga pianistja Etrita Hasani.
Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrar të “Flakës së Janarit 2026”.
Juria e konkursit anonim letrar në përbërje, Ahmet Selmani, Kaltrinë Berisha dhe Fadil Lepaja kanë vlerësuar:
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Psalm për të pagjeturit, shifra: Orfeu
Shpërblimi i dytë poezisë: Bosh, shifra: Muneosi
Shpërblimi i tretë poezisë: Hiri i Aleksandrisë, shifra: 1999
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: Toka që mbante frymë, shifra: Metamorfoza
Shpërblimi i dytë: Heshtja që mbijetoi, shifra: Axel
Shpërblimi i tretë: Post Mortum, shifra: Dashuria e fundit.
Manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2026”, përmbyllet sonte me “Gala Mbrëmjen, ndarjen e çmimeve, ngjarje që mbahet në “Vali Ranch Resort” (ora 18:00).




