Gjilan

Gazetarët vizitojnë legjendën e futbollit gjilanas, Shemsedin Abazi

Gazetarët e Gjilanit kanë vizituar sot në Spitalin Regjional ish-futbollistin e mirënjohur, Shemsedin Abazi, i cili po trajtohet prej disa ditësh pas një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore.

Ndonëse gjendja e tij paraqitet pak më e stabilizuar se javën e kaluar, “legjenda” e futbollit po përballet me sfida të rënda, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare.

Gjatë bisedës me kolegët gazetarë, Abazi tregoi se përveç vështirësive me shëndetin, ai e ka të pamundur t’i mbulojë shpenzimet e trajtimit. Nevoja e tij më emergjente për momentin është një pompë për frymëmarrje, të cilën nuk ka mundësi financiare ta blejë.

Për më tepër, gjendja e tij sociale mbetet e rëndë; Abazi jeton në një banesë me qira dhe e ka tejet të vështirë pagesën e saj mujore. Ai shfrytëzoi rastin t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë që t’i dalin në ndihmë në këtë periudhë kritike.

“Gazetarët më kanë qëndruar gjithmonë pranë sa herë kam pasur nevojë,” u shpreh Abazi, duke i falënderuar përzemërsisht për vizitën dhe interesimin e vazhdueshëm.

Të gjithë ata që kanë mundësi dhe dëshirë të ndihmojnë ish-futbollistin që dha shumë për sportin e Gjilanit, mund të kontribuojnë direkt përmes të dhënave të mëposhtme:

Xhirollogaria (NLB Bank): 170 200 321 847 6945

Numri i telefonit: 044 710 567

You Might Also Like