Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit Arta Ajeti, kanë vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozharan.
Gjatë kësaj vizite u prezantua edhe laboratori i kimisë, i cili së fundmi është furnizuar me mjete të konkretizimit në vlerë prej rreth 4 mijë euro, falë mbështetjes së Korpusit të Paqes. Përveç kësaj, investime në këtë kabinet ka bërë edhe Komuna e Vitisë, duke përmirësuar kushtet për zhvillimin e mësimit praktik.
Nxënësit e kësaj shkolle, nën përkujdesin e mësimdhënësit Arbër Frangu, demonstruan disa eksperimente të kimisë, duke treguar në praktikë njohuritë e tyre në këtë lëndë.
Kryetari Haliti u shpreh i impresionuar me punën dhe përkushtimin e nxënësve, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ai shtoi se ndihet krenar për sukseset e arritura nga këta nxënës dhe falënderoi Korpusin e Paqes për mbështetjen dhe kontributin e tyre.
Ndërkaq, drejtoresha e Programit të Trajnimeve nga Korpusi i Paqes, Nur-Aliyya Mattos, tha se laboratori që pa në Pozheran është i standardeve amerikane, madje sipas saj në disa aspekte edhe më i avancuar.
Ajo theksoi se në kuadër të bashkëpunimit të tyre Komuna e Vitisë ka qenë një mbështetëse shumë e madhe, duke falënderuar kryetarin Haliti për përkrahjen.
Ndërkohë, Cody Festerling, vullnetar i Korpusit të Paqes në Pozheran, u shpreh se ishte kënaqësi të punonte me personelin arsimor të kësaj shkolle, veçanërisht me mësimdhënësin Arbër Frangu, i cili sipas tij ka dhënë një kontribut të veçantë në realizimin e këtij projekti.
Gjatë qëndrimit në këtë institucion arsimor, kryetari Haliti vizitoi edhe hapësirat e tjera të shkollës, ku u shoqërua nga drejtoresha e shkollës Dritë Pira, e cila e njoftoi atë nga afër me kushtet dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë shkollë.Aziz Zuka


