Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e tij të katërt në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan disa pika me rëndësi. Një nga pikat kryesore ishte propozimi për miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme komunale, të cilat planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2026. Po ashtu, ka pasuar formimi i komisionit për shqyrtimin e procedurave dhe vlerësimin e ofertave për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave.
Në rend dite ishte edhe shqyrtimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe organizatës “Saint Julien en Genevois – Francë”, që synoi thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Kuvendarët kanë diskutyar edhe një propozim-vendim për ndryshimin e destinimit të një parcele në pronësi juridike të shkollës në Sllatinë, me qëllim ndërtimin e një çerdheje të re, projekt ky me interes për banorët e kësaj ane. Gjithashtu, u shqyrtua deklarata mbështetëse për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe në jetën publike, duke reflektuar angazhimin institucional për barazi dhe përfshirje.
Mbledhja u përmbyll me pikën e zakonshme të pyetjeve dhe përgjigjeve, ku këshilltarët e Kuvendit do të kenë mundësi të adresojnë çështje të ndryshme në interes të qytetarëve.Aziz Zuka




