Muzikë

Një koncert që publikun e kthen në botën magjike të filmit

Në Sallën e Orkestrës të Shkollës Muzikës, në mbrëmjen e të mërkurës është mbajtur një koncert me vepra të luajtura nga muzika e filmit, ku janë paraqitur Arzije Jusufi në Violonçel, Hjarije Bislimi në piano dhe Argëtim Bajrami në violinë, shkruan kryelajmi.com

Ky ishte Edicioni i Dytë i këtij koncerti artistik, i cili para artdashësve që përplot kishin mbushur Sallën e Orkestrës sollën interpretime të përzgjedhura nga filmat më të njohur të kinematografisë botërore.

Tre artistë në piano, violinë dhe violonçel që përbënin një trekëndësh në mes të sallës, nga të gjitha anët ishin të rrethuar nga publiku, që përcillnin koncertin nën dritën e qirinjve, që ambientin e bënin tejet romantik, kurse gjatë ekzekutimit të veprave ambienti i errtë mundësonte që në plafonoin e sallës të shfaqeshin pjesë nga filmat e kinematografisë botërore nën dritën e videoprozhektorëve.

Lumturije Shabani, moderatore në fillim të koncertit ka theksuar se këta tinguj janë ata që kanë shoqëruar filmat më të njohur të historisë kinematografike. Ky koncert është organizuar nga “Çello duo” nën përkujdesjen e drejtoreshës dhe menaxheres së këtij koncerti profesoreshës Arzije Jusufi, e cila ka realizuar edhe skenografinë dhe aranzhimin e programit artistik, që është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjilanit, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri si dhe Shkolla e Muzikës me drejtor Kushtrim Jakupi./kryelajmi.com/.

You Might Also Like