Futboll

A DO TË KETË KUSH TË NA KUJTOJË

AZIZ MUSTAFA
A DO TË KETË KUSH TË NA KUJTOJË
( Disa poezi që përbëjnë një cikël poetik )
KAM NJOHUR NJERIUN
Kam njohur njeriun që zbuste ujq
E çartej nga qenë të rreckosur
Që mbillte fusha me dritë
Në net të errëta me mjegull
Kam njohur njeriun që vetëvritej çdo ditë
E ringjallej për të treguar sa e ëmbël është jeta
Këpuste lule dhe derdhte lot mbi petale
Deri sa të tjera i mbinin mes gishtash
Kam njohur njeriun që shtrihej në kopsht krizantemash
Dhe ëndërronte diej të ri në galaktika të vjetra
Pastaj dilte e mblidhte copa buke në plehra
Dhe ushqente urinë e pangopur të botës virtuale
Kam njohur njeriun që vuante dhembjet e të tjerëve
Dhe fshihej nën hije të buzëqeshjeve
Në një përroskë pinte ujë të freskët
E qeshte me zemër kur përmendej amshimi
Flinte mbi ferra dyshimesh e mospajtimesh
Me ndërgjegje të pastër kristal
Kam njohur njeriun…
MË NDODHË
Më ndodhë rrallë
Të mendoj se jam dikush tjetër
Më merr malli për veten
Dhe shpejt kthehem
Në gjendjen e vjetër
MUNGON MUSA RAMADANI
Hera e parë pas sa muajsh
Hyj te “Edi-2”
Asgjë nuk ka ndryshuar
Pos një fantazme e zezë
Që po sillet rrotull
Me maskë e me dorëza
Me një emër të bukur
Si kurorë e Diellit
Mbetet një zbrazëti e amshuar
Mungon Musa Ramadani
Nuk nxezë më cigaren
As vizatime kroki nuk bën
E vera po vjen te “Edi-2”
A do të ketë kush të na kujtojë
Kur të mungojmë edhe unë e ti
NË TREN PËR BEZIERS
Këtu si duket vargjet po u shkruakan
Me shkumën e detit Mesdhe
Nën një pjergull hardhie
Me aromë livande pergamenë
Dymijë vjet e vjetër…
Fllad po fryjka nga Pirinejet
Dhe ngrohtësi nga Jugu
Dritë po vijka nga sytë e kaltërt
Të një goce leshrazezë…
Buzëqeshja e saj e virgjër
Merr në dorëzim një pejzazh
Dalë nga një telajë piktori
Si gjysëmhënë mbi det e kredhur…
Ka të ngjarë të quhet Sarë
Goca yll në një vend kështjellash
E gurësh që flasin gjuhë të vdekura
E histori të gjalla nën tinguj të një kitare…
Treni ecën me ritëm të përgjumur
Mes fushash me qiparisa e selvi
Përgjumem e harrohem në një cep pejzazhi
Duke mos dijtë a jam duke jetuar të sotmën
Të kaluarën apo amalgaminim e të dyjave
Mes aromash pikturash e historish…
Colombiers/Beziers,
Qershor 2019
HIMNE TË BRAKTISURA
Himne të braktisura
Shtetesh të shformuara
Vargje të vdekura
Këngësh të harruara
Stepave e tundrave
Kalorës të dehur nuk vrapojnë
Buzë prrockave të shterura
Vajza të reja nuk këndojnë
Në maternitete të rrënuara
Qyqet këndojnë
Himne të harruara
Fjalët nuk u kumbojnë
SHKO DREJT
Shko drejt
Shkretëtira le ta tregojë rrugën
Mua mos më kërko në atë akord
Të thyer
Drejt shko drejt
Mos u ngatërro në hartë
Atlasi i erërave ka kohë nuk shtypet
Shko drejt
LIRIA A ËSHTË ANDËRR
Fati i keq na mbiu në mes
Na ndau vija e 1054-tës
Tokave të Arbërit mes për mes
Shkizmë e madhe i thanë
Kah të falemi o Zot
Kah koka a kah bishti
Fryn e fryn acar
Nuk dinim festë
Nuk dinim mort
Turku na përlau pastaj
Lindje e perëndim
Perëndim e lindje
I mjeri ai i mjeri kush mbetet
Në udhëkryq
Një princ me yll në ballë
Lindet përherë kur vdesin shpresat
Një princ me dy brirë dhie
Mbi përkrenare
Ndezë zjarr kodrat
Vërshon përrua fushat
Plot 25 vjet
Muaj për muaj
Javë për javë
Ditë për ditë
Plot 25 vjet
Aty një pritë
Këtu një betejë
Pas perdes një tradhëti
Shumë gjak shumë lot
Ditë për ditë
Muaj për muaj
Vit për vit
Plot 25 vjet
Deri te 17 janari i të 1468-t Vit të Zotit
Princi heq përkrenaren
Shtron një gur nënkresë
Dhe mbyll sytë për me pa
Një andërr
Thonë se atë andërr
Pas rrafsh 540 moteve
E kishin pasë andrrue
Hiq më pak se 7 milion
Zemra përnjëherë

You Might Also Like