Gjilan

Akademia e “Flaka e Janarit” i kushtohet ish-Presidentit Ibrahim Rugova

Gjilan, 21 janar / Në kuadër të manifestimit kombëtar kulturor “Flaka e Janarit 2022”, sot në Gjilan është mbajtur Akademia Përkujtimore për ish-Presidentin Ibrahim Rugova, ku për jetën dhe veprën e tij kanë folur kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri si dhe studiuesi i letërsisë dhe njëri nga miqtë e tij, Anton Nikë Berisha.

Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se sot po bëhen gjashtëmbëdhjetë vite nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova. “Sot në këtë akademi përkujtimore rikthejmë mendjet dhe kujtimet tona tek presidenti i parë i zgjedhur me votën popullore, më 24 maj 1992, ndërsa një dekadë më pas, më 4 mars 2002, tani në Kuvendin e Kosovës, Dr Ibrahim Rugova rizgjidhet president i vendit si president i parë i Republikës.

Në këtë ditë dhe datë të rëndësishme, si shoqëri vlerësojmë lartë përpjekjen këmbëngulëse e institucionale si dhe angazhimin politik për liri e pavarësi të secilit prej nesh dhe në këtë rast e me këtë akademi përkujtimore, veçanërisht të Presidentit Rugova”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se sot po shënojmë një përvjetor të ndarjes nga jeta të presidentit të parë të Republikës dhe këtë vit është edhe 30-vjetori i zgjedhjes së Ibrahim Rugovës, president i Republikës së Kosovës në kushte të okupimit dhe 20-vjetori i zgjedhjes si president në Kosovën e lirë.

Haziri tha se këto dy përvjetorë bëjnë që edhe kjo Akademi e Flakës, nën përkujdesjen e kryetarit Hyseni, të mbahet për të nderuar jo vetëm presidentin e parë të republikës, por edhe intelektualin, njeriun e librave, të letrave shqipe, njeriun i cili fund viteve të 80-ta, ende pa qenë kryetar i LDK-së, u bë udhëheqës shpirtëror i të rinjve, i studentëve dhe i popullit të vet.

Presidenti Rugova duke qenë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve filloi të rezistonte, të fliste, të kundërshtonte gjithë atë okupim të egër, represion e dhunë që ushtrohej në Kosovë nga regjimi i një shteti që asnjëherë nuk e pranoi si të vetin.

Rugova duke qenë udhëheqës shpirtëror, natyrisht u bë edhe lider politik i cili do të sfidonte regjimin e madh të ish Jugosllavisë dhe do të ndërtonte rrugën para, rrugën me orientim perëndimor.

Haziri tha edhe se, Ibrahim Rugova në më pak se dhjetë vite arriti të realizonte ëndrrën dhe të sublimonte kërkesat gjithë popullore për Republikën e Kosovës, e cila më 17 shkurt do të shpall pavarësinë e saj.

‘Rugova asnjëherë nuk ndryshoi se ishte pacifist i bindur, por asnjëherë nuk mohoi se kryengritjet vijnë në shprehje me e mbrojte pragun e shtëpisë dhe se kryengritjet vijnë në shprehje si mjet i fundit i politikës’.

Nënkryetari i LDK-së, ndër tjerash tha edhe se do të vazhdojnë të punojnë bashkë për një Gjilan të zhvilluar ku dallimet politike duhet të na ndajnë në debat, por qëllimi është të respektojmë atë që kemi dhe të vazhdojmë ta ndërtojmë më mirë atë që presim.

Ndërsa studiuesi i letërsisë dhe njëri nga miqtë e tij të ngushtë të letrare, prof dr. Anton Nikë Berisha, trajtoi figurën dhe personalitetin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, sipas këndvështrimit të tre publicistëve dhe veprimtarëve të të drejtave humanitare nga Franca, Jean Yves Carlen, Steve Duchene dhe Joël Erhart, të cilët me vite përcollën dhe analizuan lëvizjen paqësore apo rezistencën e pa dhunshme të Ibrahim Rugovës dhe, mendimet e tyre i shpërfaqën në librin “Ibrahim Rugova, vigani i brishtë i Kosovës”, që në vitin 1998, libër që në masë të mirë sensibilizoi dhe opinionin francez, dhe atë pikërisht në kohën kur veç kish nisur lufta në Kosovë.

Ky libër, falë Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, tash vjen dhe në gjuhën shqipe, përkthyer nga Elvi Sidheri e, studiuesi Anton Nikë Berisha, në akademi solli vlerësimet e veta, të cilat shpërfaqin rëndësinë e këtij libri.

Akademia në nderim të ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova u përcoll edhe me pika muzikore të korit të Shkollës së Muzikës në Gjilan.

Përndryshe, “Flaka e Janarit” vazhdon tutje me aktivitetin e radhës ku nga 23-28 janar, mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” (Teatri i Qytetit, ora 19:30), ndërkohë që, më 26 janar, ora 12:00, në Bibliotekën e qytetit mbahet tryeza letrare: Poezia e zgjedhur e Jusuf Gërvallës, për të vazhduar në ditët tjera me pjesën letrare e muzikore.

You Might Also Like