LAJME

Apostolova konfirmon mbështetjen për Gjilanin dhe komunat e Anamoravës

Gjilan, 30 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim në zyren e tij shefen e Bashkimit Europian në Kosovës, Nataliya Apostolova, për të vazhduar në takimin e përbashkët me kryetarët e shtatë komunave të Anamoravës në Bibliotekën e Qytetit.

Kryetari Haziri, në hapjen e takimit të përbashkët, ka falënderuar Apolostolovën për vizitën dhe konfirmimin e mbështetjes për Gjilanin dhe komunat tjera të Anamoravës.

“BE në mënyrë permanente e ka mbështetur Gjilanin me projekte të ndryshme, sic është kjo bibliotekë gjigante sipas standardeve, pastaj parkun në lagjen “Dardania”, etj. E falënderoj ambasadoren Apostolova për rolin e saj në zhvillim, interesimin për komunat, politikat lokale dhe mundësitë që Komisioni Europian përmes IPA dhe programeve tjera i ofron komunave, për absorbimin e këtyre mundësive për zhvillim lokal ekonomik si mundësi e vetme dhe shpresë për njerëzit e rinj, për qiftet e reja dhe për njerëzit që presin mundësi punësimi”, ka thënë Haziri.

Shefja e Bashkimit Europian për Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se ka ardhur në Gjilan për të ofruar mbështetje për iniciativat e bashkëpunimit lokal, në veçanti ato që promovojnë tolerancën multietnike.

“Jam e kënaqur që jam sot në Gjilan dhe në këtë regjion të Kosovës me specifika të veçanta. Kjo pjesë e Kosovës përfiton shumë nga bashkëpunimi ndërkufitar. Ky regjion ka sfida në aspektin ekonomik, të punësimit, të rinisë etj, por ne ju themi se ju i keni miqtë, Bashkimin  Europian, për t’ju dalë në ndihmë. Jemi këtu për të ofruar mbështetje për iniciativat e bashkëpunimit lokal, në veçanti ato që promovojnë tolerancën multietnike, si dhe për të diskutuar fushat e bashkëpunimit të përbashkët”, tha Apostolova.

Ajo ka inkurajuar krerët e komunave që të angazhohen në komunikim me autoritetet qendrore në mënyrë që të përfitojnë nga programet e Bashkimit Europian.

“Kushdo që vije në Gjilan do të xhelozoj kur e sheh këtë objekt të bibliotekës, e cila është ndërtuar nga BE. Unë ju konfirmoj që do ta rrisim mbështetjen për bizneset, farmerët, rininë etj. Me kryetarin Haziri u pajtuam që rinia është pjesa kryesor ee vendit dhe synojmë që të ofrojmë mbështetje në këtë fushë dhe të tjera. BE është mbështetësja kryesore e nivelit qendror dhe ne po bëjmë master plane dhe strategji, e me këtë rast, ju lus që të angazhoheni në komunikim me autoritetet qendrore në mënyrë që të përfitoni”, theksoi Apostolova.

Në takimin e sotëm kanë kontribuar me kërkesa dhe adresime për cështje të ndryshme edhe kryetarët tjerë të komunave të regjionit të Anamoravës.

Pas takimit, kryetari Haziri dhe ambasadorja Apostolova kanë vizituar të gjitha sektorët e Bibliotekës Rajonal “Fan S. Noli”.

You Might Also Like