Futboll

Drita humbjen e shndërron në fitore

 

Ishte afruar fundi i ndeshjes dhe Drita po shkonte drejt humbjes ndaj Gjilanit, por një finish i furishëm i ekipit kaltër e bardh bëri që Drita t’a rikthejë rezultatin dhe të shënojë fitore. Kryendeshja në mes të Gjilanit dhe të Dritës, ndonëse e luajtur pa shikues ka dhuruar spektakël. Ka qenë Gjilani që ka shënuar shumë herët nëpërmjet sulmuesit malazez Darko Nikaq. Progni ka harkuar nga e majta në minutën 7 e Nikaq me kokë ka qëlluar këndin e epërm të Rexhepit. Që nga pësimi i golit, Drita e mori lojën nën kontroll dhe ia doli që të barazojë në minutën 26 nëpërmjet Hamdi Namanit, i cili brenda zonës ka gjuajtur bukur dhe ka tundur rrejtën e Koliqit. Drita ishte më e mirë në pjesën e parë dhe pati disa raste të mira shënimi, por Gjilani që sulmonte rrallë sërish ia doli që të shënojë në minutën 40, sërish nëpërmjet sulmuesit Nikaq, i cili nga afërsia ngriti epërsinë në 2:1.

Në pjesëlojën  e dytë Gjilani luajti më mirë dhe shumë herët ka mundur t’a vendos fatin e kësaj ndeshje. Në minutat 54 dhe 65, Gerhard Progni dhe Darko Nikaq kanë mundur që të vulosin fatin e këtij takimi por huqën nga pozita shumë të volitshme.

Drita po mundohej të shënonte e Gjilani po mbrohej mirë dhe ndeshja po shkonte drejt fundit, kur nisi kthesa e madhe. Në minutën 89, pas një topi të humbur në pjesën e sulmit nga Hila, Drita organizoi një kundërsulm të shpejtë dhe topi erdhi deri te Astrit Fazliu, i cili nga brendia e zonës e futi topin në rrjetë dhe barazoi në 2:2.

Gjilani nga goli i pësuar sikur u dorëzua i tëri dhe posa u nisën nga mesi i fushës e humbën topin dhe ish lojtari i tyre Betim Haxhimusa me një gjuajtje të shkëlqyeshme e paraboloi portierin Koliqi dhe riktheu rezultatin në 2:3.

You Might Also Like