Futboll

Drita rekordmene për ndërrimin e trajnerëve

Drita ka suspenduar kryetrajnerin e saj Ismet Munishi, pas aferës së përgjimeve dhe m’u në prag të ndeshjes tejet domethënëse ndaj Prishtinës, të cilën e humbi me rezultat 1:3 ka mbetur pa kryetrajner. Afrim Shahini dhe Shefket Sermaxhaj janë ndihmësit e Ismet Munishit, i cili nuk udhëhoqi ndeshjen nga bankina deri në gjetjen e zgjidhjes së problemit. Një emër i ri që do të drejtojë Dritën është ai i Milaim Zuzakut, i cili ka qenë një lojtar i njohur i këtij ekipi dhe i cili në disa periudha e kishte udhëhequr ekipin e Dritës.

Zuzaku gjithnjë e kishte marrë ekipin në raste emergjente dhe njëjtë është edhe kësaj radhe. Atë e pret një detyrë e vështirë, ngase Drita edhe ashtu është në pozitë të pavolitshme, duke u munduar që përkundër investimeve të mëdha në klub dhe sjelljes së shumë lojtarëve, ajo ende nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë, ngase gjendet në zonën e barazhit.

Zuzaku është kryetrajneri i katërt i FC Drita në këtë kampionat. Më herët Dritën e kishin udhëhequr Sedat Pajaziti, më pas boshnjaku Amir Alagiq, Ismet Munishi dhe tashti Milaim Zuzaku.

“Është vërtet se nga java e 25-të do ta drejtoj skuadrën e Dritës, kemi arritur marrëveshje me kryesinë e  klubit dhe për këtë jam i lumtur, e di se do të na pret një punë shumë e vështirë, por unë kam besim në këta futbollistë dhe në kryesin e klubit, së bashku do t`i arrijmë synimet, të cilat i kemi para sfidave të ardhshme”, ka thënë Zuzaku.

You Might Also Like