Sportet me dorë

Drita do të luaj në finalen e Kupës së Federatës

Në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj janë zhvilluar gjysmëfinalet e Kupës së Federatës në Volejboll për meshkuj dhe femra.

Në këtë ngjarje të madhe të volejbollit është paraqitur edhe ekipi gjilanas, Drita, fituese e shumëfishtë e titullit të Kampionit në Kosovë, Kupës, Superkupës dhe Kupës së Federatës.

Ekipi gjilanas që udhëhiqet nga dyshja Lorik Iliazi e Valon Zymberi, që së fundi ka bërë edhe ndryshime në udhëheqësi, ngase tashti kryetar i klubit është zgjedhur Jakup Shabani, në gjysmëfinale është përballur me ekipin KV Skenderaj.

Gjilanaset kanë fituar bindshëm në tre sete.

Në setin e parë skenderajaset janë kufizuar në 14 pikë, në të dytin ato ishin paksa më të mira duke arritur në 22 pikë, derisa seti i tretë ka përfunduar me rezultat 25:15 me çka Drita ka prekur finale e madhe.

Në gjysmëfinalen tjetër janë ballafaquar Kastrioti nga Ferizaj dhe M Technologie, ndeshje në të cilën ka ngadhënjyer ekipi ferizajas, i cili në finale do të përballet me Dritën.

Finalja zhvillohet të dielen me fillim në ora 17.

Në finale e meshkujve do të përballen Prishtina Volley dhe Luboteni, ngase në ndeshjet gjysmëfinale ekipi prishtinas mundi Drenicën me rezultat 3:0, kurse Luboteni e ka mundur Therandën po ashtu me rezultat 3:0.

 

 

You Might Also Like