Barazimi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, ka lënë dy ekipet gjilanase aty ku ishin në tabelë. Një pikë e mori Gjilani, tjetrën Drita dhe një tjetër u humb, por ekipet gjilanase që të dyja mund t’i gëzohen këtij suksesi.
Drita e qetë dhe pa telashe mbetet në pozitën e katërt, me shumë gjasë që aty të mbetet deri në fund të kampionatit, ngase tre të parët Feronikli, Prishtina dhe Llapi nuk po gabojnë. Shumëkush e sheh Dritën si ekip që do të përcaktojë se kush do të bëhet kampion, ngase Drita me cilësitë e saja mund t’ua prish hesapet tri të parave.
Kështu, pas 26 xhirove të zhvilluara, Drita është në pozitën e katërt me 14 fitore, 3 barazime dhe 9 humbje. Ekipi bardh e kaltër ka tubuar 45 pikë dhe ka goldallim 26:15. Drita ka sulmin e tretë më të mirë në ligë, kurse sa i përket pranimit të golave zë pozitën e katërt më të mirë në ligë.
Gjilani, që në tri ndeshjet e fundit ka grumbulluar po aq pikë, vazhdon të radhitet në pozitën e gjashtë me 35 pikë të tubuara. Gjilani ka 9 fitore, 8 barazime e 9 humbje me një goldallim 22:28.
Sulmi i Gjilanit është i dhjeti në ligë, kurse mbrojta është e gjashta në ligë.