Futbollistja e re nga Gjilani, Ema Maliqi, ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës U17 për kualifikimet „UEFA European Ëomen’s Under-17 Championship“ që do të mbahet në Gjermani. Kjo ftesë ka ardhur në adresë të KFF Prishtina, ekip në të cilin luan aktualisht Ema Maliqi.
Kjo futbolliste është e lindur në vitin 2009 dhe në këtë stinor ka kaluar te KFF Prishtina dhe menjëherë ka treguar talentin e saj duke shënuar tre gola edhe atë në dy xhirot e para. Realizimet e Emës ishin të shkëlqyeshme, ngase të tri herët ka shënuar jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit, që bënë me dije se kjo lojtare përveç se e ka gjuajtjen e fortë është tejet e saktë nga largësia.
Është interesant se talenti i kësaj lojtareje i ka rënë në sy edhe skauterëve të Barça Academy, të cilët në mesin e talenteve të futbollit që ka Kosova në listën e tyre kanë futur edhe futbollisten Ema Maliqi, që është më e reja prej të gjithave.
Tashti, kur janë në prag ndeshjet tejet të rëndësishme, Përfaqësuesja e Kosovës U17 do të organizojë një Kamp Seleksionues me ekipin U-17 të vajzave para ndeshjeve që do të zhvillohen ndaj ekipeve shumë të forta në futbollin femëror siç janë Gjermania, me të cilat ekipi ynë do të ndeshet më 17 mars 2025, pastaj Austria (20 mars 2025) dhe Danimarka (më 23 mars 2025).
Ema Maliqi me plotë të drejtë është ftuar nga përfaqësuesja e Kosovës U-17, ngase ajo luan në pozitën e mesfushores ofanzive dhe pjesën e fortë të sajën e ka këmbën e majtë, pastaj ka lexim të përkryer të lojës, goditjet e saja përveç se janë të forta janë edhe tejet të sakta, është shumë e fuqishme në duele me kundërshtarët dhe topat i adreson shkëlqyeshëm tek bashkëlojtaret, është tejet bashkëpunuese dhe tregon një karakter të fortë në lojë.
Ndryshe, Ema Maliqi, thekson se me përkushtim të madh, pa kursyer mundin dhe djersën do t’a arsyetojë besimin që i është dhënë dhe shprehet se është e bindur në sukseset e saja dhe të ekipit.
Ema Maliqi, rrjedh nga një familje sportistësh, ngase të dy prindërit i ka pedagogë të kulturës fizike dhe sportit. E ëma e saj, Florije Maliqi ka qenë një hendbolliste e njohur gjilanase, e cila për vite të tëra ka luajtur për KH Drita, derisa babai i saj, Arben Maliqi është një futbollist i njohur gjilanas, i cili ka luajtur për vite të tëra si për Dritën ashtu edhe për Gjilanin. /kryelajmi.com/.