Sportet me dorë

Lamtumirë pas 17 vitesh karrierë, volejbollistja Blinera Jaha mbyll rrugëtimin e saj si lojtare

Lamtumirë pas 17 vitesh karrierë, volejbollistja Blinera Jaha mbyll rrugëtimin e saj si lojtare

Pas plot 17 vitesh dedikim dhe pasion të pandërprerë në parket, njëra ndër pasueset më të mira të volejbollit kosovar, Blinera Jaha, i ka thënë lamtumirë sportit aktiv në moshën 28-vjeçare. Ndeshja e saj e fundit u zhvillua në Pallatin e Rinisë, në një atmosferë emocionuese gjatë përballjes mes Kombëtares së Kosovës dhe Hungarisë, e vlefshme për CEV Volleyball European League.

E nisur si një pasion në moshën 11-vjeçare, karriera e Blinera Jahës u shndërrua në një histori suksesi. Për 13 vite radhazi, ajo ishte shtylla e ekipit të KV Drita, ndërsa gjatë rrugëtimit të saj sportiv mbrojti edhe ngjyrat e skuadrave të tjera të njohura në vend: KV Fer Volley, KV Fushë Kosova (1 vit) dhe KV Ferizaj (2 vite).
Krahas sukseseve me klube, Blinera ka qenë pjesë e pandashme e Kombëtares së Kosovës për një dekadë të plotë, duke kontribuar në të gjitha grupmoshat.

Bilanci i saj mbresëlënës si volejbolliste përfshin: 8 herë Kampione e Kosovës (me KV Drita), 2 herë Nënkampione, 8 herë Fituese e Kupës së Kosovës dhe 5 herë Fituese e Kupës së Federatës

Tërheqja nga sporti pas gati dy dekadash aktivitet solli emocione të thella për volejbollisten, e cila e përshkroi volejbollin si “familjen e saj të dytë”.


“Është një moment me shumë emocione të ndahesh nga loja e volejbollit. Të gjithë rininë e kam dhënë për këtë lojë; është një moment kur zemra të ndalet e lotët të rrjedhin, por është një moment krenarie që po e mbyll një kapitull të jetës sime,” u shpreh Jaha pas ndeshjes së saj të fundit.

Në mesazhin e saj të lamtumirës, ajo nuk la pa falënderuar të gjithë ata që e mbështetën në këtë rrugëtim të gjatë dhe plot sakrifica:
“Gjatë këtyre viteve luftova shumë, sakrifikova gjithçka që kisha nga vetja, kam punuar shumë natë e ditë. Kam dhuruar emocione duke fituar tituj e kupa, luftova deri në pikën e fundit dhe kam kaluar çdo pengesë që kisha para vete. Nga zemra u falënderohem prindërve të mi që në çdo moment kanë qenë pranë meje, ata janë më meritorët për sukseset e mia. Falënderoj trajnerët kudo që u paraqita, të cilët më ndihmuan të jem kjo që jam. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët, strukturat e klubeve dhe bashkëlojtarët e mia, me të cilat ishim si një familje e madhe duke ndarë gëzimin dhe hidhërimin së bashku.”

Edhe pse ka mbyllur kapitullin si lojtare, Blinera Jaha nuk do t’i ndahet sportit. Pasi ka përfunduar me sukses Fakultetin e Kulturës Fizike, ajo planifikon që njohuritë, përvojën dhe mentalitetin e saj fitues t’ua përcjellë gjeneratave të reja. Në të ardhmen, ajo synon të punojë me kategoritë e reja të volejbollisteve, për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e radhës që do të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

You Might Also Like