KRONIKË E ZEZË

Kujdes ndaj mashtrimeve kibernetike

Thirrje për kujdes ndaj mashtrimeve kibernetike

Gjilan, 22 maj 2026

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan njofton qytetarët se gjatë periudhës së fundit janë evidentuar raste të mashtrimeve kibernetike, ku persona të dyshuar përmes mesazheve elektronike e faqeve të rreme në internet po tentojnë të sigurojnë në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve, duke i paraqitur ato si oferta, verifikime apo rimbursime financiare.

Sipas rasteve të raportuara, keqbërësit përdorin metoda të ndryshme të manipulimit me qëllim të përfitimit material, duke kërkuar nga qytetarët që të klikojnë në vegëza të dyshimta, të japin të dhëna të kartelave bankare apo informacione të tjera konfidenciale.

Me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të mos klikojnë në vegëza (linke) të dyshimta, si dhe të mos ndajnë të dhënat personale apo bankare me persona apo platforma të panjohura.

Çdo mesazh, email apo faqe e dyshimtë duhet të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike dhe fton qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë menjëherë tek autoritetet kompetente.

You Might Also Like