Një mbrëmje e mbushur me emocione, mirënjohje dhe krenari për një prej emrave që la gjurmë në historinë e volejbollit të Kosovës.
Mes bashkëlojtareve, miqve, familjarëve dhe dashamirëve të shumtë, Blinera Jaha zhvilloi ndeshjen e saj të fundit me fanellën e Kombëtares së Kosovës, duke i dhënë fund një kapitulli të jashtëzakonshëm që nisi nga Akademia Drita dhe e çoi deri në paraqitjet në elitën e volejbollit evropian.
Në shenjë vlerësimi për kontributin, përkushtimin dhe angazhimin e saj ndër vite, Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, z. Bahri Gjinovci, i dorëzoi një mirënjohje të veçantë.
Momenti u bë edhe më simbolik me tortën me numrin 6 – numri i fanellës që Blinera e mbajti me krenari për vite të tëra, duke u bërë pjesë e shumë momenteve të paharrueshme të Kombëtares së Kosovës.
Faleminderit, Blinera Jaha, për çdo sakrificë, për çdo pikë, për çdo emocion dhe për kontributin e çmuar që i dhe volejbollit të Kosovës.
Emri yt do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së sportit tonë. 🏐🇽🇰
Lamtumirë nga Kombëtarja, por përgjithmonë pjesë e familjes së volejbollit të Kosovës. 💙💛




