Si kryetar i Këshillit Drejtues gjatë këtyre katër viteve, ndihem jashtëzakonisht i përmbushur që arritëm ta funksionalizojmë Këshillin si organin më të lartë drejtues të Teatrit, në përputhje me legjislacionin që ishte në fuqi në atë kohë.
Një falënderim i veçantë shkon për Emine Toskën dhe Qazim Azizin, të cilët, së bashku me mua, për katër vjet me radhë kryen detyrat e tyre në Këshill pa asnjë kompensim material. Falënderoj po ashtu Ramadan Kurtin dhe Sabedin Shahiqin për këshillat dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hysenin, Drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqirin, si dhe Drejtorin e Teatrit, Erson Zymberin, për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale.
Falënderoj edhe stafin e Teatrit për angazhimin artistik dhe në hartimin e akteve nënligjore, si dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të mandatit të kaluar, të cilët i miratuan ato me vota unanime.
Gjatë mandatit tonë kemi udhëhequr procedurat për përzgjedhjen e Drejtorit të Teatrit, kemi hartuar tri akte nënligjore dhe kemi shqyrtuar dhjetëra tekste teatrore, disa prej të cilave janë aprovuar për inskenim. Në çdo vendimmarrje kemi vepruar me përgjegjësi dhe në konsultim me institucionet kompetente për të garantuar respektimin e ligjit dhe interesit publik.
Përgjatë katër viteve kemi mbajtur rreth 60 mbledhje, shumë më tepër sesa obligimi ligjor. Besoj se përmes punës sonë kemi dhënë kontribut në ngritjen e cilësisë artistike të Teatrit, gjë që reflektohet në çmimet e fituara, numrin e reprizave dhe rritjen e vazhdueshme të audiencës.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Artin dhe Kulturën, Këshillat Drejtuese zëvendësohen me Këshilla Artistikë. Uroj që Këshilli i ri Artistik të vazhdojë me përkushtim rrugën e zhvillimit dhe të kontribuojë edhe më shumë në avancimin e cilësisë artistike të Teatrit të Gjilanit.
Ishte nder dhe përgjegjësi e madhe t’i shërbeja Teatrit të Gjilanit dhe komunitetit tonë artistik.
Avni Shkodra





