Viti

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti seancën e ndërprerë, pas tërheqjes së pikave për shfrytëzimin e pronës komunale

Kuvendi i Komunës së Vitisë ka mbajtur sot vazhdimin e seancës së rregullt, e cila ishte ndërprerë tri javë më parë për shkak të diskutimeve rreth pikave që kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në fshatin Devajë.
Seanca u kryesua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, i cili njoftoi asamblistët se nga rendi i ditës janë tërhequr dy pikat që kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, gjë që ka bërë që kjo seance të ndërpritet që para tre javësh.
Azizi bëri të ditur se kjo erdhi pasi pronari i kompanisë “Daka Group”, e cila kishte dalë fituese në procedurën përkatëse, përmes një shkrese drejtuar Kuvendit Komunal ka njoftuar se është tërhequr nga ky proces, duke bërë që këto pika të mos shqyrtohen.
Pas tërheqjes së tyre, Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e tjera të rendit të ditës, ndër të cilat u shqyrtuan dhe miratuan propozim vendimi për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale për Kompaninë kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), për vendosjen e trafove elektrike. Propozim-vendimi për plotësimin e vendimit për binjakëzimin ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës Saint Julien en Genevois të Francës. Propozim-vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2025 në vitin 2026;
propozim-vendimi për realizimin e një vizite studimore në Shqipëri, si dhe një informata nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport për Manifestimin Tradicional Kulturor-Sportiv “Flakadani i Karadakut 2026”.
Në fund të mbledhjes u zhvillua edhe pika e pyetjeve dhe përgjigjeve, ku anëtarët e Kuvendit parashtruan çështje dhe kërkesa të ndryshme për ekzekutivin komunal.

You Might Also Like