Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, sjell librin “Rebelim dhe kujtesë”, prezantohet në Panairin e Librit
“Nëntë portrete, nëntë zëra dhe nëntë fate të grave që kanë sfiduar një mentalitet.”
Në kuadër të edicionit të 26-të të Panairit të Librit “Prishtina 2026”, do të prezantohet ekskluzivisht libri i drejtoreshës së platformës kulturore KultPlus, Ardianë Pajaziti, me titullin “Rebelim dhe kujtesë“.
Vepra sjell në qendër nëntë histori grash, nëntë zëra dhe nëntë fate që kanë sfiduar mentalitete, kanë kundërshtuar regjime apo kanë dëshmuar forcë, sukses, mbijetesë, dashuri dhe përkushtim.
Sipas autores, libri nuk është thjesht një përmbledhje bisedash, por një dëshmi e fuqishme e kujtesës kolektive dhe individuale, e ndërtuar përmes rrëfimeve autentike të protagonisteve.
“Ky libër, duke prezantuar nëntë histori grash nga perspektiva e tyre dhe me zërin e tyre, frymëzon dhe inkurajon brezat”, thuhet në përshkrimin e veprës.
Përmes rrëfimeve të përzgjedhura, “Rebelim dhe kujtesë” trajton tema të rezistencës, identitetit, sfidave shoqërore dhe rolit të gruas në periudha të ndryshme, duke krijuar mozaik emocionesh dhe përvojash që tejkalojne kufijtë e kohës.
Shkrimtari dhe publicisti, Ag Apolloni, i cili ka shkruar një vlerësim për librin thekson se vepra përmban një potencial të jashtëzakonshëm narrativ.
“Në fakt, ky nuk është thjesht një libër me nëntë biseda, por një material potencial për nëntë filma“, vlerëson Apolloni.
Ai shton se historia e dhjetë e librit është vetë historia e autores, e cila ka zgjedhur t’i dokumentojë me kujdes dhe respekt këto zëra të fuqishëm.
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Bard Books dhe është mbështetë nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit. Ballina e librit është realizuar me veprën e skulptorit të mirënjohur Luan Mulliqi.
Panairi i Librit “Prishtina 2026”, që po mbahet në Pallatin e Rinisë me moton “Libri hap botën”, ka mbledhur rreth 100 botues dhe mijëra tituj të rinj, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
Libri “Rebelim dhe kujtesë” është i disponueshëm për lexuesit në stendën e botuesit gjatë ditëve të panairit. Kurse për vendin e shitjes nëpër librari, do të bëhet e ditur me kohë.




