Kryetari Sokol Haliti mori pjesë në takimin koordinues për themelimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mori pjesë në takimin koordinues të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, ku u diskutua procesi i themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje.
Takimi mblodhi përfaqësues institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, me fokus transformimin e Agjencive për Zhvillim Rajonal në përputhje me rregulloret e reja në fuqi dhe krijimin e shtatë qendrave rajonale, të cilat synojnë të nxisin zhvillimin ekonomik, të forcojnë bashkëpunimin ndërkomunal dhe të mundësojnë një shpërndarje më të balancuar të projekteve dhe investimeve.
Në panelin kryesor të diskutimit, duke përfaqësuar kryetarët e komunave të Rajonit të Lindjes, kryetari Haliti shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim në funksionalizimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje, duke theksuar rëndësinë e një koordinimi të ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
Me këtë rast, ai kërkoi që Rajoni i Lindjes, përfshirë edhe Komunën e Vitisë, të ketë një trajtim më të drejtë në shpërndarjen e investimeve publike, duke vlerësuar se ky rajon ka mbetur për një periudhë të gjatë nën nivelin e nevojshëm të investimeve qendrore. Sipas tij, një qasje më e balancuar në financimin e projekteve zhvillimore do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe krijimin e mundësive të reja për të gjithë Rajonin e Lindjes. Aziz Zuka




