LAJME

Era Januzi, nxënësja që tri herë radhazi po shkëlqen në garat e matematikës

Tri herë mori pjesë në garat e matematikës, duke e përfaqësuar Gjimnazin Natyror ‘’Xhavit Ahmeti’’ dhe komunën e Gjilanit dhe në të trija rastet shkëlqeu. Era Januzi, nxënëse e klasës së XII-5 po e bënë krenarë jo vetëm Gjilanin, por edhe Kosovën, andaj edhe sivjet ajo pritet të shkëlqejë në garat ndërkombëtare, ashtu siç kishte shkëlqyer edhe vitin e kaluar.

Drejtori Bekim Mustafa, kujdestarja e klasës XII-5, Kujetsa Salihu – Keka dhe profesori i matematikës Murat Morina kanë vetëm fjalë miradije për këtë nxënëse të shkëlqyeshme, e cila këtë të premte është shpërblyer me mirënjohje nga shkolla.

‘’Na e ke zbardhë fytyrën e na ke bërë shumë të lumtur’’, kanë qenë fjalët e para të Bekim Mustafës, drejtor i Gjimnazit Natyror ‘’Xhavit Ahmeti’’, i cili ka shtuar se është hera e tretë që Era merr pjesë në këto gara dhe si gjithëherë ajo është kthyer me suksese të shkëlqyeshme. Sipas Mustafës, Era do ta ketë përkrahjen e shkollës edhe tashti kur është maturante.

Ngjashëm është shprehur edhe kujdestarja e klasës, Kujtesa Salihu – Keka, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë angleze, e cila ka theksuar se Era Januzi është një nxënëse shumë punëtore e rregullt dhe shumë e përkushtuar në mësim. Ajo është e atillë, çfarë do ta dëshironte secila shkollë, andaj edhe fare nuk dyshojmë në suksesin e saj.

Murat Morina, mësimdhënës i matematikës, i cili më së miri i njeh vlerat e Era Januzit në këtë lëndë, thotë se është kënaqësi të kesh një nxënëse çfarë është ajo. Ajo ka një talent të jashtëzakonshëm për matematikë, por është edhe shumë punëtore, ka një disiplinë të pashoqe, përkushtim dhe interesim tejet të madh për dije. ‘’I tërë ky sukses i Erës është falë punës së saj të madhe, por edhe i udhëzimeve dhe sygjerimeve tona si mësimdhënës të saj. Era gjithnjë ka dëshmuar vlera, andaj edhe kësaj here ajo do t’i dëshmojë ato’’, ka thënë profesori Murat Morina.

Festim Shkodra, koordinator i garave të Matematikës, ka thënë se anëtarja e ekipit të matematikanëve të rinj të Gjilanit, Era Januzi, ka arritë të kualifikohet si anëtare e ekipit 6-anëtarësh shtetëror të Kosovës, që do të marrë pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës IMO 2024, që do të mbahet në korrik 2024, në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo nxënëse, vitin e kaluar fitoi mirënjohje nderi, si anëtare e ekipit 4-anëtarësh të Kosovës, në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2023, që u mbajt në prill 2023, në Slloveni. Shkodra tha se EGMO 2025, do të mbahet në Kosovë, më 2025, që është shpallur Vit i Matematikës në Kosovë, nga Qeveria e Kosovës!

Era Januzi, ka thënë se garat e sivjetme do të mbahen në qytetin Bath të Anglisë dhe kjo do të jetë pjesëmarrësja e vetme nga Gjilani dhe e vetmja femër e bashkë me të në ekipin kosovar do të jenë pesë djemë nga komuna e Prishtinës. Garat do të mbahen në muajin korrik dhe nisin më datë 10 dhe do të ketë aktivitete të ndryshme deri më 22 korrik. Ajo thotë se i kanë mbetur edhe pak kohë për t’u përgatitur dhe se është duke punuar me të madhe që të dalë sa më e sukseshme në këto gara.

You Might Also Like