Teatër

Festivali i Stand Up Komedisë 2, po vjen

Festivali i Stand Up Komedisë 2, po vjen

Festivali i Stand Up Komedisë organizohet për të dytin vit me radhë nga Varg e Vi, i pari i këtij lloji i organizuar në Kosovë.
Festivali ka 4 aktivitete kryesore:
1. Stand Up – Performanca,
2. Stand Up – Ahengu,
3. Stand Up – Në bërje, dhe
4. Qeshu – Konferenca.

Në Stand Up – Performanca, për tri net rresht, do të ketë nga 5 stand up komedianë nga mbarë hapësira shqiptare. Prej 20-28 dhjetor 2023, çdo ditë nga ora 13:00-19:00, mund të blini 1 biletë 3 euro, për 1 mbrëmje me 5 stand up komedi, ose 9 euro për krejt festivalin që mbahet më 26-28 dhjetor, në Teatrin e qytetit në Gjilan. Biletat shiten te shtëpiza para teatrit dhe përmes rezervimit në tel. 044 458 004, ku numri rendor dhe i ulëses, do të respektohet strikt.

Në Stand Up – Ahengu, do të ketë aheng me koktell e muzikë pas përfundimit të stand up komedive, ku hyrja do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët.
Në Stand Up – Në bërje, do të zhvillohet punëtori me të rinj e të reja, të cilët/të cilat do të njihen nga mentori profesionist, me zhvillimin praktik të stand up komedisë, duke rezultuar në fund me performancë të tyre si stand up komedianë të rinj/reja para një audience të ngushtë, prej 23-28 dhjetor, në foajenë e Teatrit të qytetit.

Në kuadër të festivalit, do të zhvillohet për herë të parë në Kosovë, konferenca “Qeshja si çështje”, ku do të flasin për qeshjen nga këndvështrime të ndryshme psikologjike, stomatologjike, ekonomike, filozofike, historike, religjioze, sociologjike, juridike, arkitektonike dhe juridike, 10 panelistë profesionistë nga drejtime të ndryshme shkencore, më 28 dhjetor, ora 14:00, te salla e konferencave në Astoria.

Festivali i Stand Up Komedisë mbështetet financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, pas aplikimit të suksesshëm në thirrjen e hapur publike për të gjitha OJQ-të për aktivitete kulturore, me përkrahjen e pakursyer të Teatrit të qytetit, si dhe ahengu e shërbimet e pijeve do të realizohen nga Vali Ranch në shtëpizën e vendosur enkas për festival, para Teatrit të qytetit në Gjilan.
Është muaji dhjetor, me festa të fundvitit, me gëzimin e ardhjes së mërgimtarëve, mirë se vini të qeshim së bashku, pa fund, në fundvit!

You Might Also Like